Bota

Përmbytje në Itali dhe Greqi/ Vendet në gatishmëri, situata më kritike në Rodos

Reshjet intensive të shiut dhe stuhitë e fuqishme kanë përfshirë disa zona të Italisë dhe Greqisë, duke shkaktuar përmbytje, dëme materiale dhe probleme në qarkullimin rrugor. Situata më kritike është regjistruar në ishullin e Rodosit në Greqi, ndërsa Italia është vendosur në gatishmëri për shkak të rrezikut nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut.

Në Greqi, moti i keq goditi gjatë orëve të natës ishullin e Rodosit. Zona më e prekur ishte Arkangjelosi, ku dalja nga shtrati e një lumi shndërroi rrugët në rrjedha të fuqishme uji. Automjete u morën nga rrjedha, ndërsa uji depërtoi në banesa, dyqane dhe ambiente biznesi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

të paktën 60 automjete janë marrë nga ujërat e rrëmbyeshëm.

Për shkak të situatës, shkollat në disa njësi bashkiake të Rodosit janë mbyllur. Probleme nga reshjet janë raportuar edhe në Afantou dhe në zona të tjera të ishullit.

Ndërkohë, edhe Italia po përballet me një përkeqësim të ndjeshëm të kushteve atmosferike. Departamenti i Mbrojtjes Civile ka shpallur alarm portokalli në rajonet Pulia dhe Bazilikatë, ndërsa alarmi i verdhë është aktivizuar në Kalabri, Kampania, Molise, Abruzzo dhe Siçili.

Sipas autoriteteve italiane, një sistem me presion të ulët atmosferik, që lëviz nga Ballkani drejt Detit Tirren, pritet të sjellë reshje të dendura, stuhi, breshër dhe erëra të forta. Shqetësimi kryesor lidhet me mundësinë e përmbytjeve lokale, daljen e lumenjve nga shtrati dhe rrëshqitjet e dheut.

Në disa qytete janë marrë masa parandaluese, përfshirë mbylljen e shkollave, parqeve publike dhe hapësirave të tjera të frekuentuara. Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes në zonat pranë lumenjve dhe përrenjve.