Aktualitet

Ndalohet bankieri i afërt me Vuçiçin: Dyshohet se mori 380 milionë euro

Një skandal i madh financiar ka shpërthyer në Serbi, ku Davor Macura, pronari i Alta Bankës dhe një nga personat e afërt me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, është ndaluar nga autoritetet nën dyshimin se ka nxjerrë në mënyrë të paligjshme rreth 380 milionë euro nga kasaforta e bankës.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë për Krim të Organizuar të bërë më 2 nëntor, së bashku me Macurën janë ndaluar edhe dy zyrtarë të tjerë të lartë të institucionit financiar. Ata dyshohen se i kanë mundësuar pronarit të bankës hyrjen pa autorizim në kasafortë për të tërhequr shumën e madhe të parave.

Aksioni i autoriteteve serbe nisi më 31 tetor dhe vazhdoi më 1 nëntor, me kontrolle të imtësishme në ambientet e Alta Bankës si dhe në banesën private të Macurës. Gjatë këtij operacioni,hetuesit kryen edhe numërimin e plotë të parave të mbetura në kasafortën e bankës.

Të tre të dyshuarit janë vendosur në masën e ndalimit prej 48 orësh dhe pritet të merren së shpejti në pyetje nga Prokuroria për Krim të Organizuar.

Ky zhvillim vjen menjëherë pas vendimit të Bankës Qendrore të Serbisë për t’i hequr licencën e ushtrimit të aktivitetit Alta Bankës, si pasojë e përkeqësimit të menjëhershëm dhe të rëndë të gjendjes së saj financiare.

Davor Macura e ka nisur aktivitetin e tij të biznesit në vitin 2008 me hapjen e një këmbimoreje valutore, për t’u shndërruar më pas në një nga biznesmenët më të fuqishëm në Serbi,i njohur për lidhjet e tij të ngushta me pushtetin e Presidentit Vuçiç.

Emri i Macurës nuk është i panjohur as për diplomacinë ndërkombëtare. Në tetor, kongresisti amerikan Joe Wilson i kërkoi zyrtarisht Uashingtonit vendosjen e sanksioneve ndaj tij, duke ngritur pretendime për pastrim parash dhe shfrytëzim të afërsisë me pushtetin politik në Beograd.

Megjithëse Alta Banka i kishte hedhur poshtë këto akuza, deri më tani nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar që e lidh ndalimin e fundit të Macurës me kërkesën e kongresistit amerikan për sanksione. Hetimet mbi rastin vazhdojnë.