Universiteti Mesdhetar dhe Gjykata Kushtetuese nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi, fokus te praktikat dhe formimi i studentëve të drejtësisë
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Marrëveshja u firmos nga Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Adrian Civici, dhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Fiona Papajorgji.
Nënshkrimi u zhvillua në ambientet e Gjykatës Kushtetuese, me iniciativë të Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane. Ky bashkëpunim synon të mbështesë procesin mësimor dhe të zgjerojë njohuritë e studentëve përmes njohjes së drejtpërdrejtë me veprimtarinë e institucioneve.
Në takim u theksua rëndësia e veçantë e njohjes së procesit kushtetues dhe veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese. Ky bashkëpunim ka vlerë të veçantë për studentët e programit të integruar 5-vjeçar në Drejtësi, si dhe të programeve Master i Shkencave në E Drejtë Civile dhe Tregtare dhe Master i Shkencave në E Drejtë Publike, që ofrohen nga Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Humane. Ai u shërben gjithashtu studentëve të degëve dhe programeve të tjera të studimit të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.
Marrëveshja synon krijimin e një kuadri të qëndrueshëm dhe afatgjatë për bashkëpunimin ndërinstitucional. Ajo do të kontribuojë në njohjen dhe promovimin e jurisprudencës kushtetuese, shkëmbimin e ekspertizës dhe përvojës profesionale, si dhe forcimin e kapaciteteve kërkimore.
Në zbatim të marrëveshjes parashikohet organizimi i konferencave dhe aktiviteteve të përbashkëta shkencore, zhvillimi i leksioneve të hapura për studentët e pedagogët, si dhe organizimi i trajnimeve dhe praktikave mësimore, kryesisht për studentët e drejtësisë.
Bashkëpunimi përfshin gjithashtu zhvillimin e veprimtarive kërkimore dhe nismave të tjera me karakter akademik e profesional në fushën e së drejtës kushtetuese, mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore, si dhe forcimit të shtetit të së drejtës.


