Sport

Përshkallëzohet situata para Ministrisë së Arsimit, protestuesit e maskuar hedhin gurë drejt policisë, ndërhyn autoboti i ujit

Situata para Ministrisë së Arsimit në Tiranë është përshkallëzuar, pasi persona të maskuar kanë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të policisë.

Përballë tensioneve dhe incidenteve të regjistruara, policia ka ndërhyrë me autobotin e ujit, në përpjekje për të shpërndarë personat që po konfrontohen me efektivët.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë momente tensioni, ndërsa forcat e rendit janë përballur me hedhjen e gurëve nga ana e disa protestuesve të maskuar.

Ndërhyrja e autobotit ka shtuar tensionet në zonën përreth Ministrisë së Arsimit, ku prej orësh po zhvillohet protesta.

Tubimi, i cili nisi me kërkesat e studentëve, është shoqëruar me një sërë incidentesh, përplasje fizike dhe konfrontime mes protestuesve dhe policisë.

Më herët, në protestë u dogjën edhe dy kazanë mbeturinash, të cilët u shtynë në drejtim të efektivëve, ndërsa u hodhën edhe sende të tjera.

Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse ndërhyrja e policisë do të sjellë shpërndarjen e turmës dhe nëse do të ketë persona të shoqëruar apo të arrestuar pas incidenteve.

Pritet një njoftim zyrtar nga Policia për bilancin e protestës dhe masat e marra pas përshkallëzimit të situatës.