Aksident në aksin Lushnjë-Rrogozhinë, 83-vjeçari mbetet i bllokuar në automjet, ndërhyjnë zjarrfikësit për ta nxjerrë
Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Lushnjë-Rrogozhinë, ku një automjet ka dalë nga rruga, duke lënë të bllokuar brenda tij drejtuesin 83-vjeçar.
Për nxjerrjen e të moshuarit nga automjeti është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur operacionin e shpëtimit.
Zjarrfikësit kanë përdorur pajisjet e posaçme për të bërë të mundur nxjerrjen e drejtuesit nga makina, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur edhe shërbimet e Policisë.
Ende nuk dihen rrethanat e plota të aksidentit dhe nëse 83-vjeçari ka pësuar lëndime si pasojë e daljes së automjetit nga rruga.
Policia po punon për dokumentimin e ngjarjes dhe zbardhjen e shkaqeve që çuan në aksident.
Detaje të tjera priten në vijim lidhur me gjendjen shëndetësore të drejtuesit të automjetit dhe dinamikën e ngjarjes.


