Aktualitet

Beso i Tajvanit pagoi 1.7 milionë dollarë për lobim në SHBA përmes Dubait

Një shumë prej 1.7 milionë dollarësh është paguar për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga kompania Balkan Energy DMCC, e lidhur me biznesmenin shqiptar Besnik Sulaj, i njohur ndryshe si “Beso i Tajvanit”.

Sipas dokumenteve amerikane të lobimit, pagesat janë kryer gjatë vitit 2025 në favor të kompanisë Ballard Partners, një prej firmave të njohura të lobimit në Uashington.

Sipas investigimit të publikuar nga Publik.al, Balkan Energy DMCC është e regjistruar në Dubai, ndërsa pas saj qëndron Balkan Energy sh.a., e regjistruar në Tiranë. Pronari me 100% të aksioneve të kësaj të fundit rezulton Skënder Sulaj, vëllai i Besnik Sulajt.

Ky i fundit ka mbajtur postin e administratorit të kompanisë gjatë periudhës kur janë kryer pagesat, deri në prill të vitit 2026.

Një prej pagesave më të mëdha është regjistruar në tremujorin e fundit të vitit 2025, kur kompania ka paguar 750 mijë dollarë për shërbimet e lobimit.

Por ajo që ngre pikëpyetje është edhe gjendja financiare e kompanisë. Sipas të dhënave të bilanceve të cituara në investigim, Balkan Energy ka regjistruar humbje të akumuluara prej rreth 148 milionë lekësh gjatë katër viteve të fundit.

Një tjetër element që tërheq vëmendjen është emri i Ballard Partners, kompani që në të kaluarën ka punuar edhe për Partinë Socialiste dhe qeverinë shqiptare në Uashington.

Sipas dokumenteve të lobimit, aktiviteti i deklaruar përfshinte asistencë dhe këshillim për hyrjen në tregjet e huaja të energjisë, me kontakte në Departamentin Amerikan të Shtetit, Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Shtëpinë e Bardhë.

Pagesat dhe lidhjet mes kompanive ngrenë pikëpyetje mbi arsyet e këtij angazhimi financiar dhe interesat që synoheshin të përfaqësoheshin në Uashington.

Për momentin, pretendimet dhe lidhjet e paraqitura në investigim kërkojnë transparencë dhe sqarime të mëtejshme nga palët e përfshira.