Veliaj i kërkon grupit të PS ngritjen e një Komisioni Hetimor: Të hetohen kërcënimet e kryeministrit, jam gati të ballafaqohem me Gogun
Pak kohë pas deklaratës së kreut të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar këtij të fundit me një kërkesë për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me kërcënimet që pretendon se i janë bërë nga kryeministri Edi Rama, përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, i cili e vizitoi në burg.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Veliaj bën të ditur se ka kërkuar hetimin e rrethanave nëse transferimi i tij nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit është përdorur si instrument presioni nga kryeministri Rama, me qëllim që ta detyronte të pranonte organizimin e protestave në Tiranë dhe të jepte dorëheqjen nga mandati i kryebashkiakut të Tiranës.
“Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje”, shprehet Veliaj.
Më tej, kryebashkiaku i Tiranës thekson se për këtë kërkesë ka vënë në dijeni edhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri.
Deklaratë e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj:
Sot i jam drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, me kërkesën për inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar mbi ndërhyrjet dhe kërcënimet që kam deklaruar se janë ushtruar ndaj meje nga Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë.
Kam kërkuar të hetohet nëse transferimi im nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për të më detyruar të pranoj organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati që më kanë besuar qytetarët e kryeqytetit.
Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.
Kërkesën ia kam drejtuar shumicës parlamentare të partisë sime, sepse kontrolli kushtetues mbi qeverinë nuk mund të kushtëzohet nga përkatësia politike e atyre që duhet të japin llogari.
Kam vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe kam kërkuar ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive.
Nuk kërkoj që Kuvendi t’i marrë si të mirëqena deklarimet e mia. Kërkoj që t’i hetojë. Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik.






