Komisioni i Ekonomisë miraton projektbuxhetin mbi 10 miliardë euro, më 19 nëntor kalon për shqyrtim në Kuvend
Me 8 vota pro nga mazhoranca dhe 4 kundër nga opozita, Komisioni i Ekonomisë ka miratuar në parim projektbuxhetin e vitit 2027. Dokumenti pritet të shqyrtohet në seancën plenare të 19 nëntorit.
Projektbuxheti parashikon shpenzime në vlerën e 976 miliardë lekëve, të cilat do të përdoren për paga, pensione, sigurime shoqërore, ndihmë ekonomike, investime, shëndetësi, mbrojtje dhe infrastrukturë. Ndërkohë, të ardhurat që pritet të mblidhen nga taksat dhe tatimet kapin vlerën e 907 miliardë lekëve.
Për vitin 2027, qeveria planifikon të shpenzojë rreth 2 miliardë euro për investimet publike. Fokusi do të jetë te avancimi i projekteve të rëndësishme rrugore, përfshirë akset Elbasan-Lekaj, Elbasan-Qafë Thanë, zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, rrugën Tiranë-Ndroq-Plepa, si dhe bypass-in e Tiranës.
Një tjetër prioritet i parashikuar në projektbuxhet është financimi i Portit të ri Tregtar në Porto Romano.
Projektbuxheti i vitit 2027 është hartuar mbi bazën e një projeksioni për rritje ekonomike prej 3.9%, e cila pritet të mbështetet kryesisht nga sektori i turizmit. Ndërkohë, borxhi publik parashikohet të ulet në 52.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Për herë të parë, Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit pritet të kalojë vlerën e 30 miliardë eurove, me një rritje prej 1.5 miliardë eurosh krahasuar me vitin aktual, 2026. Ky i fundit pritet të mbyllet me një PBB prej afro 29 miliardë eurosh.


