Flet “Skulptori i Popullit” dhe “Nderi i Kombit” Muntaz Dhrami: Kam jetuar në tre kohë, gjatë luftës në monizëm, në demokraci dhe them se i kam ende borxh historisë se Shqipërisë
Muntaz Dhrami, mjeshtri i skulpturës monumentale shqiptare në këtë 90-vjetor dha një intervistë ekskluzive për “Telgarf News” në studion e tij në Tiranë. Aty mes shumë boceteve shikoje jetën e tij mes artit, historisë dhe monumenteve kombëtare. Tek dalta e tij historia merr jetë në bronz dhe gur. Muntaz Dhrami, përmes veprave të tij ka lënë gjurmë të rëndësishme në artin dhe kujtesën kombëtare. Një jetë e tërë në shërbim të artit, një jetë me daltën në dorë, për të lënë në sheshet dhe kujtesën e Shqipërisë vepra që flasin edhe atëherë kur autori hesht. …
Telegraf News
Mbi 7 dekada me daltë dhe me laps në dorë…Nëse do i hidhni një sy rrugëtimit tuaj si ju duket kjo rrugë nga shkollimi në Gjirokastër deri më sot në Tiranë?
(Loton…) Koha, natyra ka ligjet e veta. Kur kthej kokën pas them:- Zot si ka ikur koha? Një jetë e mbushur me ngjarje, punë dhe histori. Kam jetuar në tre kohë gjatë luftës në monizëm, dhe tani në demokraci. Pra, një jetë që në çdo hap ka një ngjarje ka një histori, ka një moment të rëndësishëm jetësor. Kujtoj vitet e shkollës në Gjirokastër. Isha vërsnik me Ismail Kadarenë madje në adoleshencë simpatizonim të njëjtën vajzë. Moment i veçantë ishte hyrja ime në Lice. Ka qenë ndërhyrja e të afërmit tim Zihni Sako, që më nxiste, pasi shihte vazhdimisht pikturat e mia. Një ditë ai m’i mori vizatimet dhe ia tregoi Abdurrahim Buzës, piktorit tonë të nderuar. Sa i pa vizatimet piktori i madh tha, që ky djalë të vijë në konkurs në Lice. Por unë nuk mund të shkoja pasi nuk më linte drejtori i gjimnazit (pra kisha filluar mësimet në gjimnaz).Por unë duke pikturuar në rrugët e Gjirokastrës më pa një ditë Bedri Spahiu (ish -ministër i Arsimit). Ai pasi më lavdëroi unë i qava hall duke i thënë se nuk më le drejtori i gjimnazit të futem në konkurrim në Liceun Artistik. Ishin ndërhyrjet e tyre që unë të shkoja dhe të konkurroja në Lice. Në Lice kam qenë në një klasë me Zef Shoshin, Stefan Priftin, Dhimitraq Trebickën, Sotir Kosta etj, ndërsa mësues kam pasur Abdulla Cangonjin dhe Kel Kodhelin. Ata kanë qenë mësuesit e mi në këtë periudhë, deri në mbrojtjen e diplomës.
-Sigurisht diploma mbetet një ditë unike. Cila ka qenë puna juaj e diplomës?
Puna ime e diplomës në 1956-ën, ka qenë një kompozim i një prindi me një fëmijë. Ka qenë paksa letrareske, ku një vajzë e vogël vjen nga shkolla me një libër në dorë dhe i tregon babait që ishte farkëtar se çfarë ka mësuar në shkollë. Ishte 1 metër e 20 cm, pra më pak se ajo natyrale. Ishte një kompozim i mirë. Nga viti 1956-‘57, punova në kooperativën e porcelanit, si modelist bashkë me Hektor Dulen, Skënder Pukën (një piktor i mirë, i talentuar) nxënës i Odise Paskalit.
-Kur filloi krijimtaria juaj e vërtetë?
Viti 1957, ishte viti që filloi krijimtaria ime e mirëfilltë. “Vajza me shall” ishte vepra që unë u ekspozova në Ekspozitën Kombëtare. Ishte si punë konkursi. Ishte një ditë e veçantë për vetë faktin se po dilja në një përballje publike, kur dihej se aty kishte shumë piktorë dhe skulptorë të afirmuar. Pikërisht pas këtij ekspozimi apo konkursi më doli e drejta e studimit, në Leninigrad (San Petërbug).Vazhdova studimet nga viti 1957 deri në vitin 1961 kur u ndërprenë marrdhëniet. Pas këtij momenti unë kthehem në atdhe. Jo vetëm unë, por të gjithë studentët shqiptarë që studionin në BS. Studimet e mëtejshme i vazhdova në Akademinë e Arteve në Tiranë, në Institut, i cili në atë kohë ishte sistem 3- vjeçar. Në atë kohë në Institut po realizonin diplomën Sali Shijaku, Agim Zajmi, Zef Shoshi etj…që kishin lënë studimet në BS. Në këtë kohë kishin mbrojtur diplomën Shaban Hadëri, Kristaq Rama, që kishin mbaruar shkëlqyeshëm në Leningrad dhe kishin lënë emër të mirë. Ne që ishim brezi i ri dhe brezi i fundit në BS u munduam ta ruanim reputacionin e tyre (ata kishin shkuar në moshë të madhe në shkollë).

-Në monizëm ju keni realizuar shumë statuja, buste dhe relieve, si punonit në atë sistem?
-Ai sistem ka vlerat e veta. Nuk mund të errësohet çdo gjë. Mund të them se për artin është investuar. Sot mund të shohësh shumë skulptura heronjsh, apo monumente të mëdha në të katër anët e Shqipërisë që i përkasin asaj kohe. Monumente që kanë shkruar një pjesë të historisë shqiptare.
-Cili është busti juaj i parë si skulptor profesionist?
-Busti im i parë është i Jani Vretos i vendosur në Leskovik. Një bust që e punova me shumë dashuri duke pasur parasysh jetën dhe veprën e tij shumë interesante?
-Po monumenti juaj i parë?
-Monumenti im i parë ka qenë bashkëpunim me Kristaq Ramën. Ky monument i kushtohet Kostandin Kristoforidhit. Është një punë e madhe me shumë përgjegjësi. Monumenti është vendosur në Elbasan ku ndodhet edhe sot. Pra, është monumenti im i parë dhe bashkëpunimi im i parë me Kristaq Ramën…

Cilat janë disa nga veprat tuaja në shërbim të historisë?
Janë shumë. Populli ynë ka histori të madhe. Ka histori të jashtëzakonshme. Një popull i vogël me kaq histori zor se ka tjetër në botë. Ndër to mund të përmend monumentin e Ali Pashës në Tepelenë. Monumenti madhështor është prej bronci, me peshë 4 ton, i gjerë 3.1 metër, i lartë 2 metra. Ai është vendosur në qytetin e Tepelenës, në sheshin që gjendet në hyrje të saj, kur vjen nga Ura e Leklit dhe fshatit Luzat. Monumenti i Drashovicës përjeton dy luftëra të zhvilluara në kohë të ndryshme, të ndarë nga njëra-tjera në një distancë prej 23 vjetësh. Monumenti i Adem Jasharit në Tiranë u vendos në të njëjtin vend ku ishte i vendosur vetëm një bust i tij në rrugën e “Durrësit”. Busti i Ali Asllanit në Vajzë të Vlorës. Labëria ka nxjerrë burra të mendjes, penës dhe pushkës, shtetarë dhe administratorë, artistë e profesionistë, poetë dhe oratorë. Por rrallë ndodh që në një njeri të vetëm të gjenden bashkë të gjitha këto vlera e vyrtyte. Ali Asllani është njeri prej tyre. Por nga lufta do veçoj një figurë…

-Cilat janë disa nga bashkëpunimet tuaja të mëvonshme me Kristaq Ramën?
Së pari monumenti Nëna Shqipëri 12 metër i lartë. Statuja është në beton dhe është përuruar në varrezat “Dëshmorët e Kombit” në vitin 1971. Realizues Kristaq Rama, unë dhe Shaban Hadëri. Së dyti Monumenti i Pavarësisë i ndërtuar nga Kristaq Rama, unë dhe Sh. Hadëri në Vlorë në vitin 1972 dhe i mbuluar me bronz. Është i lartë 17 metra. Ky monument ngrihet në qendër të qytetit në Sheshin e Flamurit. Në qendër të grupit skulpturor është figura e Ismail Qemalit, kryetarit të parë të shtetit shqiptar. Relievi te Kryeministria (1974) së bashku me Kristaqin, Shabanin dhe Hektor Dulen. Memoriali i Qafës së Koçiut për luftën e vitit 1920.Pra janë disa memoriale në bashkëpunim me disa nga skulptorët më të mirë shqiptarë. Të gjithë këta skulptorë kanë lënë gjurmët e tyre në vepra monumentale, që nuk do të vdesin kurrë. Tek puna e tyre shikohet një pjesë e mirë nga më të lavdishmet të historisë shqiptare.

-Këtu në studio shohim disa bocete të Ismail Qemalit. Në një bisedë në Vlorë ju keni theksuar se keni peng një monument të Ismail Qemalit në Tiranë. Pse ky peng?
-Sigurisht që është peng… Flitet për Ismail Qemalin e madh. Njeriun që solli Pavarësinë. Ai mbetet i dyti më i madhi i kombit pas Skënderbeut. Dhe monumenti i tij duhet në qendër të Tiranës përballë Skënderbeut. Dy të mëdhenjtë e kombit përballë njeri-tjetrit.


