Politikë

Samiti/ Kërkesat për dorëheqje, Rama nga Dublini: Shqiptarët më kanë dhënë mandat të fortë për t’a udhëhequr vendin drejt BE!

Nga kërkesat për dorëheqje te investimi i Jared Kushnerit në Shqipëri, kryeministri Edi Rama është përballur me një sërë pyetjesh nga gazetarët në Dublin, ku po merr pjesë në takimin e nëntë të Komunitetit Politik Evropian. Në fokus të intervistës ishin edhe negociatat për anëtarësimin në BE dhe lufta në Ukrainë, për të cilën Rama kritikoi qasjen e Evropës ndaj Rusisë.

I pyetur për kërkesat për dorëheqje që vijnë nga protestat nw Tiranë, Rama iu referua rezultatit të zgjedhjeve të vitit të kaluar, duke këmbëngulur se ka marrë mbështetjen e shqiptarëve për të vijuar drejtimin e vendit.

“Populli shqiptar më ka dhënë një mandat shumë të fortë për ta udhëhequr vendin drejt Bashkimit Evropian. Kjo ndodhi vitin e kaluar. Pra, ju jeni ndikuar shumë nga gënjeshtrat dhe gjysmë të vërtetat që janë përhapur për Shqipërinë”, u tha Rama gazetarëve!

Sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian, Rama tha se nuk ka rrugë tjetër për anëtarësimin përveç procesit të bazuar në merita. Sipas tij, ky parim duhet të vlejë për të gjitha vendet, përfshirë Ukrainën.

“Nuk ka rrugë tjetër për t’u anëtarësuar në BE përveç ndjekjes së procesit të bazuar në merita dhe kjo do të vlejë edhe për Ukrainën. Bashkimi Evropian duhet të gjejë momentin e tij të ri Helmut Kohl dhe t’i mbledhë të gjithë rreth tryezës, duke ruajtur për secilin procesin e bazuar në merita”, u shpreh kryeministri.
Rama foli edhe për luftën në Ukrainë, duke kritikuar mënyrën se si Evropa ka trajtuar diplomacinë me Rusinë. Ai tha se mbështetja ushtarake për Ukrainën është e drejtë, por kjo nuk duhet të përjashtojë bisedimet me Moskën.

“Pyetja nuk është se kujt mund t’i besojmë, por çfarë është në interesin tonë më të mirë si komunitet evropian. Besoj se është bërë një gabim shumë i madh duke ua lënë diplomacinë të tjerëve dhe duke u përqendruar vetëm te mbështetja ushtarake për Ukrainën, që është gjëja e duhur për t’u bërë, pa mbajtur të hapur kanalin e bisedimeve me Rusinë”, tha ai.

“Duam apo nuk duam, Rusia nuk do të zhduket. Ajo do të jetë aty dhe e ardhmja e kontinentit është një e ardhme e përbashkët, për të cilën duhet të punojmë duke përdorur të gjitha mjetet. Ndërsa e mbështesim Ukrainën deri në fund, duhet të zhvillojmë edhe bisedime”, shtoi Rama.

Rama u pyet edhe për protestat që shoqëruan vizitën e tij në Irlandë. Ai tha se ishte ndier i mirëpritur, pavarësisht një grupi  personash që kishin zgjedhur ta prisnin ndryshe.

“Ky është një vend demokratik dhe qeveriset nga rregulla dhe ligje. Ajo që ndodhi është pjesë e një vendi demokratik dhe ka të bëjë me rregullat dhe ligjet. Ndihem shumë i mirëpritur në Irlandë. Pata një bisedë shumë të mirë në një institut studimor mjaft prestigjioz dhe, po, ishin rreth një duzinë vëllezërish dhe motrash që menduan të më prisnin në një mënyrë tjetër, por kjo është demokracia, çfarë të bëjmë!”, tha Rama.

Duke folur për rolin e Shqipërisë në diskutimet evropiane, kryeministri tha se vendi ynë e njeh peshën e tij dhe nuk synon t’u japë leksione të tjerëve.

“Ne jemi shumë të vegjël dhe e dimë vendin tonë, ndaj nuk na takon t’u japim leksione të tjerëve apo të përfaqësojmë të gjithë. Unë jam më i gjati, por drejtoj një vend shumë të vogël. Nuk bëhet fjalë për gjatësinë time, por për peshën e vendit”, u shpreh Rama.
Takimi i nëntë i Komunitetit Politik Evropian në Dublin bashkëdrejtohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe kryeministri i Irlandës, Micheal Martin. Në Dublin ndodhet edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.