Juristi i ASHK-së në gjyq, Andi Bajrami dyshohet se favorizoi “Al Development” për 3 200 m² tokë në Selitë
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim juristin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Andi Bajrami, i akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me një pronë prej 3 250 metrash katrorë në zonën e Selitës.
Sipas hetimeve, Bajrami dyshohet se ka fshirë nga kartela e pasurisë shënimin kufizues që mbronte interesat e shoqërisë “Triumph Company”, e cila kishte lidhur më parë një kontratë sipërmarrjeje me pronarët e tokës për zhvillimin e pronës.
Fshirja e shënimit u krye pas kërkesës së pronarëve, të cilët pretendonin se kompania nuk kishte realizuar projektin e ndërtimit. Megjithatë, sipas Prokurorisë, kontrata parashikonte një afat trevjeçar për ndërtimin, i cili niste nga momenti i marrjes së lejes së ndërtimit dhe jo nga data e nënshkrimit të marrëveshjes.
Pas heqjes së kufizimit nga regjistri kadastral, pronarët lidhën një kontratë të re sipërmarrjeje për të njëjtën pronë me kompaninë “Al Development” sh.p.k.
Prokuroria vlerëson se veprimet e juristit kanë cenuar interesat e ligjshme të “Triumph Company”, duke i hapur rrugë lidhjes së një marrëveshjeje të re për të njëjtën pasuri.
Andi Bajrami do të përballet tashmë me gjykimin për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Çështja është në fazën e dërgimit për gjykim dhe fajësia do të përcaktohet nga gjykata.


