Shqipëria organizon Javën Globale të Sipërmarrjes, 40 aktivitete në fokus startup-et dhe inteligjenca artificiale
Shqipëria i bashkohet Javës Globale të Sipërmarrjes, e cila zhvillohet nga 16 deri më 22 nëntor, me rreth 40 aktivitete të organizuara në disa qytete të vendit. Në qendër të kësaj jave do të jenë inovacioni, zhvillimi i startup-eve, inteligjenca artificiale dhe krijimi i mundësive të reja për bizneset.
Programi synon të bashkojë sipërmarrës, investitorë, ekspertë të teknologjisë, përfaqësues të institucioneve dhe të rinj që dëshirojnë të zhvillojnë idetë e tyre në projekte konkrete biznesi.
Java Globale e Sipërmarrjes në Shqipëri do të mbështetet në katër shtylla kryesore: politikat për zhvillimin e inovacionit, forcimin e ekosistemit të biznesit, gjithëpërfshirjen dhe edukimin.
Gjatë aktiviteteve do të zhvillohen takime, konferenca, workshope, sesione mentorimi dhe diskutime mbi mundësitë e financimit dhe bashkëpunimit mes bizneseve. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe rolit të inteligjencës artificiale në transformimin e sipërmarrjes dhe ekonomisë.
Një tjetër objektiv është krijimi i më shumë mundësive për të rinjtë, gratë sipërmarrëse, diasporën dhe komunitetet në të gjithë vendin.
Përmes kësaj nisme synohet të nxitet kultura e sipërmarrjes, të mbështeten idetë inovative dhe të forcohen lidhjet mes arsimit, industrisë dhe investitorëve.
Java Globale e Sipërmarrjes është një nismë ndërkombëtare që zhvillohet në dhjetëra vende të botës, duke promovuar inovacionin, krijimin e bizneseve të reja dhe zhvillimin ekonomik.


