Fitorja e parë pa Messin, “shkëlqen” Argjentina, 7 gola dhe spektakël ndaj Costa Ricës
Kombëtarja e Argjentinës ka regjistruar një fitore të thellë 7-0 ndaj Kosta Rikës, në një ndeshje miqësore të zhvilluar në stadiumin “Mario Alberto Kempes”, në Kordoba. Kjo ishte fitorja e parë e kampionëve të botës pas largimit të Lionel Messit nga futbolli ndërkombëtar.
Skuadra e drejtuar nga Lionel Scaloni reagoi në mënyrën më të mirë pas humbjes 2-1 ndaj Uruguait, duke dhuruar një paraqitje spektakolare dhe duke treguar se ka alternativa të rëndësishme edhe pa yllin argjentinas.
Protagonistët kryesorë të takimit ishin Nico Paz dhe Julián Álvarez, të cilët realizuan nga dy gola secili në pjesën e parë. Paz zhbllokoi rezultatin në minutën e 8-të, ndërsa Álvarez dyfishoi shifrat në minutën e 35-të.
Vetëm tre minuta më vonë, Paz realizoi golin e dytë personal, ndërsa Álvarez vulosi dopietën e tij në minutën e 43-të, duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 4-0.
Në pjesën e dytë, spektakli vazhdoi me Franco Mastantuonon, i cili realizoi golin e pestë vetëm tre minuta pas rifillimit të lojës. Në minutën e 78-të, Alexis Mac Allister shënoi golin e gjashtë, ndërsa Mastantuono vulosi rezultatin përfundimtar 7-0 në minutën e 88-të, duke kompletuar edhe ai dopietën personale.
Kjo fitore shënon një nisje pozitive për Argjentinën në periudhën pas Messit, me Nico Paz, Julián Álvarez dhe Mastantuonon që treguan se mund të marrin përgjegjësi të rëndësishme në skuadrën kombëtare.
Argjentina e mbyll kështu vitin 2026 me një fitore bindëse, duke dhënë sinjale pozitive për të ardhmen e ekipit të drejtuar nga Scaloni.


