Sport

“Ti je pasardhësi i djalit tim”, nëna e Messit emocionon Nico Paz me deklaratën surprizë.

Një episod emocionues ka përfshirë futbollistin e ri argjentinas Nico Paz, i cili ka marrë një mesazh të veçantë nga Celia Cuccittini, nëna e Lionel Messit. Ajo i është drejtuar mesfushorit me fjalët: “Ti je pasardhësi i djalit tim”, duke e emocionuar atë.

Ngjarja ka ndodhur më 6 tetor, pas ndeshjes Argjentinë–Benin, e zhvilluar në stadiumin “Monumental”, që shënoi lamtumirën e Lionel Messit nga përfaqësuesja argjentinase. Detajin e ka zbuluar xhaxhai i futbollistit, Fabián Paz, gjatë një interviste për radion argjentinase “La Red”.

Sipas rrëfimit të tij, Nico Paz doli nga dhomat e zhveshjes dhe pa Celia Cuccittinin duke qarë nga emocionet e lamtumirës së të birit. Futbollisti iu afrua për ta përshëndetur, pasi njiheshin më parë, ndërsa ajo i kapi dorën dhe i tha se ishte pasardhësi i Messit.

Fabián Paz tregoi se nipi i tij mbeti i habitur nga ky moment. Kur u takua me xhaxhain, i tha: “Nuk mund ta besoj atë që sapo më ndodhi”.

Nico Paz po kalon një periudhë shumë të mirë, duke u kthyer në një nga talentet më premtuese të futbollit argjentinas. 22-vjeçari, i cili aktivizohet me Comon në Itali, ishte një nga protagonistët e fitores 7-0 të Argjentinës ndaj Kosta Rikës, ku realizoi dy gola.

Megjithatë, sipas xhaxhait të tij, Nico nuk e sheh veten si pasardhës të Messit dhe nuk dëshiron të rëndohet nga krahasimet me legjendën argjentinase. Edhe vetë futbollisti ka theksuar se dëshiron të shijojë momentet me kombëtaren dhe të përqendrohet te loja.

Trajneri Lionel Scaloni gjithashtu ka vlerësuar paraqitjet e tij, duke theksuar se Paz ka ende shumë potencial për të treguar dhe se stafi do të kujdeset për zhvillimin e tij.