Aktualitet

Shqipëria i është bashkuar nismës amerikane “Trump Peace Pipelines Framework”, e cila synon forcimin e sigurisë energjetike dhe zhvillimin e infrastrukturës së gazit në Europën Qendrore dhe Juglindore.

Marrëveshja u nënshkrua në Varshavë, gjatë takimit të Partneritetit Transatlantik për Bashkëpunimin Energjetik (P-TEC), ku morën pjesë përfaqësues të qeverive dhe sektorit energjetik.

Lajmi u bë i ditur edhe nga Ambasada Amerikane, e cila përshëndeti përfshirjen e Shqipërisë dhe Malit të Zi në këtë nismë, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për rritjen e eksporteve amerikane të energjisë, zgjerimin e alternativave të furnizimit dhe tërheqjen e investimeve të reja në rajon.

Nisma amerikane synon zhvillimin e terminaleve të gazit të lëngshëm (LNG), ndërtimin e gazsjellësve dhe krijimin e lidhjeve të reja energjetike mes vendeve të rajonit.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Shqipëria pritet të përfshihet në projektin e gazsjellësit që lidh Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë me Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP).

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri gjithashtu të ditur se në Varshavë Shqipëria nënshkroi dy marrëveshje bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara. E dyta lidhet me projektin hidroenergjetik të Skavicës, për të cilin po vijojnë studimet mjedisore dhe të fizibilitetit në bashkëpunim me kompaninë amerikane Bechtel.

Përfshirja në këtë nismë synon të krijojë mundësi të reja për diversifikimin e burimeve të energjisë, forcimin e lidhjeve rajonale dhe tërheqjen e investimeve amerikane në sektorin energjetik shqiptar.