Aktualitet

Goditet grupi kriminal shqiptar në Britani, vëlla e motër dënohen me burg për trafik droge

Tre shtetas shqiptarë janë dënuar me burg në Britaninë e Madhe, pas një hetimi të gjatë të autoriteteve britanike për përfshirjen në një rrjet kriminal që merrej me shpërndarjen e kokainës, falsifikimin e dokumenteve dhe pastrimin e parave.

Mes të dënuarve janë motër e vëlla, Daniela dhe Hysen Sopiku, përkatësisht 26 dhe 21 vjeç, si dhe 18-vjeçari Alvaro Vrapi.

Sipas hetimeve, grupi kriminal vepronte në disa qytete të qarkut Wiltshire gjatë viteve 2025 dhe 2026, duke organizuar furnizimin dhe shpërndarjen e kokainës.

Hysen Sopiku u dënua me 3 vite burg, pasi pranoi akuzat për përfshirje në furnizimin me drogë të klasit A, posedim kokaine me qëllim shpërndarjen dhe përfitim nga aktiviteti kriminal.

Ndërsa motra e tij, Daniela Sopiku, u dënua me 9 muaj burg për posedim dokumentesh të falsifikuara me qëllim mashtrimi dhe përdorim të të ardhurave nga veprimtaria kriminale. I riu Alvaro Vrapi u dënua me 28 muaj burg.

Gjatë operacionit, policia britanike zbuloi sasi droge me vlerë mbi 11 mijë paund, ndërsa hetimet financiare evidentuan më shumë se 53 mijë paund të ardhura të pajustifikuara.

Në kontrollet e ushtruara u sekuestruan gjithashtu shuma parash, sende luksoze dhe dokumente identifikimi të falsifikuara, përfshirë një pasaportë italiane.

Autoritetet britanike deklaruan se hetimi arriti të zbardhë aktivitetin e grupit dhe të ndërpresë rrjetin e shpërndarjes së kokainës në komunitetet e zonës së Wiltshire.