AktualitetBota

Kokaina e fshehur mes mishit të ngrirë/ I burgosuri shqiptar dyshohet se drejtonte trafikun e drogës drejt Spanjës, sekuestrohen 303 kilogramë

Një organizatë kriminale shqiptare që merrej me trafikun ndërkombëtar të kokainës është goditur nga autoritetet spanjolle, pas zbulimit të një ngarkese prej 303 kilogramësh drogë në portin e Algecirasit. Lënda narkotike ishte fshehur mes paletave me mish pule të ngrirë, në një kontejner që kishte ardhur nga Brazili.

Sipas mediave spanjolle, operacioni çoi në arrestimin e gjashtë personave, katër prej të cilëve shqiptarë. Mes tyre është edhe drejtuesi i dyshuar i rrjetit kriminal në Spanjë, si dhe bashkëpunëtori i tij më i afërt.

Hetimet zbuluan se organizata po përpiqej të hapte një itinerar të ri për transportimin e kokainës drejt Evropës, pasi autoritetet kishin goditur më parë aktivitetin e saj në portin e Valencias.

Drejtimi i rrjetit nga burgu

Sipas hetuesve, drejtimin e përgjithshëm të aktivitetit kriminal dyshohet se e ushtronte një shtetas shqiptar që ndodhej në Shqipëri, pasi ishte ekstraduar nga Spanja pas arrestimit për çështje të mëparshme të trafikut të drogës.

Ai është xhaxhai i personit që dyshohet se drejtonte rrjetin në Spanjë. Ky i fundit kishte precedentë për transporte të mëparshme kokaine përmes portit të Valencias.

Pas katër përpjekjeve të dështuara, organizata arriti të organizonte transportimin e rreth 300 kilogramëve kokainë, të vendosur në 28 kuti brenda kontejnerit.

Si u zbulua ngarkesa

Më 17 nëntor, anija tregtare “Maersk Lota” mbërriti në portin e Algecirasit. Kontejneri duhej të transferohej më pas në një tjetër anije, për të vijuar udhëtimin drejt Kepit të Gjelbër.

Plani i trafikantëve ishte që kokaina të nxirrej nga kontejneri dhe të transportohej në një vilë në kompleksin rezidencial Benharas, në Los Barrios, pranë Algecirasit.

Policia ndërhyri në momentin kur të dyshuarit po ngarkonin kutitë me drogë në dy automjete. Në vendngjarje u arrestuan tre persona, ndërsa një tjetër shqiptar u kap në afërsi, duke drejtuar automjetin që shërbente si pararojë për të kontrolluar rrugën.

Dy drejtuesit e dyshuar të organizatës u arrestuan në një kafene pranë vendit të operacionit, ku kishin shkuar për të mbikëqyrur dorëzimin e ngarkesës.

Operacioni u zhvillua nga Policia Kombëtare spanjolle në bashkëpunim me Shërbimin e Mbikëqyrjes Doganore, duke parandaluar krijimin e një rruge të re për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës drejt tregut evropian.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht aktivitetin e organizatës dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.