120-vjetori i Shoqatës “Tomorri”, ministri Demo: Rilindasit punuan që Shqipëria të njihej në Evropë
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 120-vjetorit të krijimit të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, ku vlerësoi kontributin e saj në ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Në fjalën e tij, Demo theksoi se Tomorri nuk është thjesht një mal apo simbol i një treve, por një vend ku ndërthuren historia, besimi, kultura dhe identiteti shqiptar. Ai e cilësoi 120-vjetorin si një moment që përfaqëson gjashtë breza përkushtimi dhe dashurie për atdheun.
Ministri kujtoi se shoqata nisi veprimtarinë e saj përpara krijimit të shtetit shqiptar, në një kohë kur atdhetarët punonin për të mbajtur gjallë idenë e një Shqipërie të lirë dhe të pavarur. Duke përmendur figura si Nikoll Naço, Jani Vruo, Mitat Frashëri dhe Fan Noli, Demo u shpreh se rilindasit besuan te Shqipëria përpara se ajo të bëhej shtet dhe kontribuuan për afirmimin e identitetit kombëtar. Ai u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke theksuar se Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë realizimit të aspiratës për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Rilindasit tanë punuan që Europa ta njihte Shqipërinë si komb, me identitetin dhe vendin që ne na takon pranë saj. Sot brezi ynë ka përgjegjësinë ta çojë Shqipërinë në familjen europiane, duke ruajtur pikërisht me krenari atë identitet”, deklaroi Demo.
Sipas ministrit, integrimi europian nuk duhet parë vetëm si një proces politik, por edhe si mundësi për të prezantuar përpara Europës historinë, kulturën, traditat dhe vlerat shqiptare. Në vijim, Demo vlerësoi rolin e Shoqatës “Tomorri” si një simbol bashkimi mes shqiptarëve, pavarësisht dallimeve fetare, bindjeve apo prejardhjes. Ai theksoi se kjo trashëgimi duhet të ruhet dhe t’u përcillet brezave të rinj.
“Tomori ka qenë gjithmonë një simbol bashkimi, një mal që ngrihet mbi dallimet tona, mbi besimet, bindjet dhe përkatësitë, duke na kujtuar se ajo që na bashkon është shumë më e madhe sesa ajo që mund të na ndajë”, u shpreh ministri.
Në përfundim, Demo përgëzoi drejtuesit dhe anëtarët e shoqatës për punën ndër vite, duke theksuar se përgjegjësia nuk është vetëm të ruhet trashëgimia e së kaluarës, por edhe të ndërtohet një e ardhme që brezat e ardhshëm ta kujtojnë me krenari.
“Trashëgimia më e madhe nuk është vetëm ajo që marrim nga të parët, por është ajo që u lëmë atyre që vijnë pas”, përfundoi ai.


