AktualitetKosova dhe Rajoni

Incidenti me Himnin shqiptar në Pustec, Mickoski pyetet nëse do t’u kërkojë falje shqiptarëve, justifikohet: Nuk e ndoqët aktivitetin deri në fund

Çështja e himnit shqiptar në Pustec u rikthye në vëmendje gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Gjatë konferencës, gazetarët e pyetën Mickoskin nëse ndiente nevojën t’u kërkonte falje shqiptarëve për atë që u konsiderua si mosrespektim i himnit kombëtar shqiptar gjatë aktivitetit në Pustec.

Në përgjigjen e tij, kreu i qeverisë së Maqedonisë së Veriut nuk kërkoi falje, por deklaroi se vendi është shumëetnik dhe se të gjitha komunitetet vlerësohen. Ai pretendoi gjithashtu se gazetarët nuk e kishin ndjekur aktivitetin deri në fund, duke këmbëngulur se himni shqiptar ishte ekzekutuar.

“Ne jemi popull shumëetnik dhe i vlerësojmë të gjithë. Sot po festojmë 22 Nëntorin. Në lidhje me himnin, nuk e keni ndjekur aktivitetin deri në fund. Himni u zbatua. Të relaksohemi”, u përgjigj Mickoski.