U arrestuan pas përshkallëzimit të tensioneve në protestën e PD-së, Gjykata e Tiranës liron nga burgu 15 protestuesit
Gjykata e Tiranës shpalli lirimin e menjëhershëm të 15 qytetarëve të cilët ishin arrestuar mbas protestës së 22 marsit, si të dyshuar për kundërshtim të policisë, goditje për shkak të detyrës, dhe shkatërrim prone me zjarr.
Siç raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, gjykata e cilësoi të pabazuar në prova kërkesën e prokurorisë që këmbënguli caktimin e arrestit në burg me afat për pesë nga të dyshuarit.
Gjatë seancës tre të arrestuar insistuan se nuk kishin marrë pjesë në protestën e thirrur nga Partia Demokratike por që u arrestuan krejt rastësisht mbasi po kalonin në zonën e protestës.
Gjatë kohës që masa po mbahej në gjykatë jashtë po prisnin deputetë të PD dhe mbështetës.
Ky qëndrim i gjykatës është i njëjtë si edhe ndaj protestuesve të tjerë, të cilët mbasi kanë marrë pjesë në protesta janë liruar.
