Bota

Gjermania vendos masa për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve, gjoba deri në 100 mijë euro për shkelësit

Bundestagu gjerman miratoi sot një paketë masash të reja për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve, si reagim ndaj rritjes së fortë të tyre për shkak të luftës në Iran.

Sipas ligjit të ri, stacionet e benzinës do të mund të rrisin çmimet vetëm një herë në ditë, në orën 12:00 të mesditës, ndërsa uljet lejohen në çdo moment.

Shkelësit do të përballen me gjoba deri në 100 mijë euro.

Masat përfshijnë edhe shtrëngimin e legjislacionit antitrust, duke detyruar kompanitë e naftës të justifikojnë objektivisht çdo rritje të ndjeshme të çmimeve.

Autoriteti Federal Anti-Kartel do të ketë kompetencë të ndërhyjë menjëherë në tregun me shumicë për të ndaluar abuzimet.

Ligji u mbështet nga partitë e koalicionit qeverisës CDU/CSU, SPD dhe të Gjelbrit, megjithëse këta të fundit paralajmëruan se masa mund të rrisë varësinë nga lëndët djegëse fosile.

Ndërkohë, E Majta dhe Alternativa për Gjermaninë (AfD) votuan kundër, duke e cilësuar paketën si një “simulim” masash.

Këshilli Federal pritet ta miratojë nesër, në mënyrë që rregullat e reja të hyjnë në fuqi në fillim të prillit. Paketa do të rishikohet pas një viti.

Qeveria gjermane po përgatit edhe masa shtesë, si ulja e TVSH-së në stacionet e karburantit, vendosja e një takse mbi fitimet e tepërta të kompanive të energjisë dhe mundësia e kufizimit të çmimeve ose uljes së tarifave për kamionët.

Ministrja e Ekonomisë, Katerina Reiche, deklaroi se është e hapur edhe për një rritje të përkohshme të pagesës për udhëtimin, e cila aktualisht është 38 cent për kilometër.

  1. “Është e rëndësishme t’u dërgojmë një mesazh atyre që varen nga makinat e tyre,” tha Reiche, duke shtuar se po diskutohet edhe një ulje e mundshme e taksës së energjisë elektrike për të gjithë.