PSG nuk arrin marrëveshje me Ousmane Dembelen
PSG i ka ofruar Dembele një pagë prej 30 milionë eurosh në sezon, por lojtari kërkon pothuajse dyfishin. Kontributi i tij për skuadrën ka qenë vendimtar, sidomos në fitimin e Ligës së Kampionëve, dhe Luis Enrique ka punuar shumë për t’i ndihmuar të bëhet lojtari më i mirë dhe të fitojë Topin e Artë. Megjithatë, çështjet financiare duket se kanë krijuar tension.
Dembele ka kontratë deri në vitin 2028. PSG e filloi rinovimin e kontratës herët, për të mos u gjetur në situata të vështira.
Por oferta e klubit u refuzua dhe agjenti i lojtarit kërkoi kushtet gati dyfish më të larta.
Kjo situatë nuk është e panjohur, pasi edhe Barcelona, më parë nuk mundi t’i kënaqte kërkesat financiare të Dembele.
Mesazhi i presidentit Al-Khelaifi
Presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, theksoi: “Kemi një kufi pagash, siç dihet. Ekipi dhe klubi janë më të rëndësishëm. Ousmane është një legjendë e klubit. E dua Ousmane si person dhe si lojtar”.
Fjala e tij nuk ishte vetëm për Dembele dhe agjentin e tij, por edhe një paralajmërim për të tjerët: pavarësisht madhështisë suaj, skuadra vjen e para.
Kjo filozofi u ilustrua edhe me rastin e Gianluigi Donnarumma gjatë verës, kur PSG nuk pranoi kërkesat e agjentëve për më shumë para dhe përfshirje të bonuseve, duke e transferuar më pas lojtarin te Manchester City.
Dembele, tani duhet të zgjedhë
Ousmane Dembele tani përballet me një zgjedhje të qartë: ose pranon kushtet e klubit, ose largohet. Nuk do të bëhen përjashtime, madje as për fituesin e Topit të Artë.
PSG ka treguar se mund të jetojë pa çdo lojtar dhe, në disa raste, madje të bëhet më i fortë pa të.
