Aktualitet

Premtimi i Ramës: Çdo vit, rritja e pensionit do të dyfishohet

Pas përfundimit të mbledhjes së socialistëve, Kryeministri, Edi Rama, ishte në Asamblenë e Partisë Socialiste në njësinë nr. 2, Tiranë.

Rama u shpreh se do të ketë një ristrukturim të kësaj njësie.

“Siç e dini të gjithë ju, si gjithmonë ne fitoret tona i projektojmë edhe i përgatisim duke marrë kohë dhe shumë më parë se sa të gjithë të tjerët.

Ne kemi parë nevojën që të bëjmë një ristrukturim të punës në bashkinë e Tiranës. Po të shikojmë se si janë rritur disa qarqe, është shumë e qartë që organizimi është A-ja”, tha ai.

Më tej, Rama u ndal tek situata ekonomike në vend, teksa shprehu raporte të mira për pagën dhe pensionet. Për pensionet, u shpreh se me çdo vit do të ketë dyfishim të tyre.

“Jemi në një situatë që, për të thënë të drejtën, me kënaqësi e shikojmë që pagat në sektorin privat vazhdojnë të rriten. Ndërkohë që ju e dini se pagat në sektorin publik janë rritur në mënyrë të vazhdueshme e përsëri kemi bërë rritje.

Tani kemi hyrë në një fazë siç kemi bërë me mjekët, p.sh., siç bëmë me ushtarakët, mësuesit. Po njohim paralelisht vjetërsinë në punë. Pra nuk është e njëjta pagë.

Këto gjëra janë gjëra normale, por nuk i bënim dot më përpara se nuk kishim kapacitet buxhetor.

Të njëjtën gjë mund të themi për pensionet. Tani pensionet kanë hyrë në planin e rritjes i cili është një plan katër vjet rresht, ku çdo vit pensioni, rritja do dyfishohet. Nëse këtë vit pensioni është rritur x, vitin tjetër nga janari do të jetë x herë dy. Pastaj vitin tjetër do të jetë x herë tre. Sepse na janë krijuar mundësitë. Kjo do të thotë se funksionon ekonomia“, tha ai.