“Partia të forcohet duke u hapur”, mesazhi i koduar Braçes pas mbledhjes së PS: Karriget s’janë qëllim
Deputeti Erion Braçe ka përcjellë një mesazh në rrjetet sociale lidhur me të ardhmen e Partisë Socialiste pas mbledhjes së degës së PS të Njësisë 5, e cila u zhvillua në Pallatin e Kongreseve, pas takimit të grupit te Pallati i Brigadave.
Në reagimin e tij, Braçe thekson rëndësinë e hapjes dhe përfshirjes në parti, duke nënvizuar se forcimi i Partisë Socialiste vjen përmes pranimit të të gjithë atyre që duan të kontribuojnë me ide. Ai e cilëson këtë si një proces të domosdoshëm për zhvillimin e mëtejshëm të së majtës.
“Forcimi i PS duke u hapur, pranuar, përfshirë të majtë që duan të zhvillohen e të zhvillojnë idetë e tyre bashkë me PS, ishte një tjetër qëllim i mire për të cilin folëm e do flasim edhe më tej”, shkruan Braçe në një postim në rrjetet sociale.
Deputeti vë në dukje në mesazhin e tij se: “Karriget nuk janë kurrë qëllim, puna e punët vlejnë”.
Mesazhi i Braçes vjen në një ditë kur u raportua për tensione në mbledhjen me dyer të mbyllura të socialistëve, mes kryeministrit Rama dhe deputetes Elisa Spiropali.
