Aktualitet

Aksion kundër ambulantëve në Korçë, Prefektura kërkon largimin e shitësve nga rruga

Prefektura e Korçës, në bashkëpunim me institucionet e tjera vendore, prej dy ditësh ka nisur një aksion që synon largimin e tregtarëve ambulantë përgjatë aksit Korçë–Pogradec, duke e konsideruar praninë e tyre si burim të mundshëm aksidentesh.

Edhe pas largimit, tregtarët janë rikthyer sërish në vendet e tyre të shitjes, çfarë solli përsëri ndërhyrjen e Policisë Bashkiake për t’i larguar, në zbatim të vendimit të Prefekturës.

Aksioni i prefekturës ka shkaktuar reagime nga ana e tregtarëve, të cilët e shohin këtë ndërhyrje si kërcënim për mbijetesën e tyre.

Ndërkohë, Prefektura bën të ditur se aksioni u ndërmor me qëllim parandalimin e aksidenteve në një aks të rëndësishëm nacional, ku ndalesat e papritura dhe prania e shitësve pranë rrugës konsiderohen faktor rreziku.

Përkundër këtij fakti, ajo që ende nuk dihet është mënyra se si do të tregtojnë në vijim prodhimet e tyre shitësit ambulantë, të cilët deri më tani kanë siguruar jetesën përmes kësaj veprimtarie.