Aktualitet

“Tre hapa dhe e-visa juaj është gati”, Ministria e Jashtme: Kujdes me aplikimin për vizë, në faqen jozyrtare. I mungon autorizimi nga institucionet

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar sot se një faqe në internet që për nga emri është thuajse e njëjtë me atë të autorizuar nga institucionet shqiptare, nuk është zyrtare dhe si e tillë nuk duhet të përdoret për aplikimin për një vizë hyrëse në Shqipëri.

Sipas Ministrisë https://evisia-al.com/albaniavisaenquirylive/ nuk ka autorizim nga institucionet shqiptare dhe i vetmi portal i autorizuar është https://e-visa.al/.

Në faqen, të cilën ministria ka bërë thirrje të mos përdoret, thuhet se “viza juaj është gati në tre hapa”, teksa vendin kryesor në faqe e zënë fotot nga vendi ynë.

Njoftimi i Ministrisë

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) njofton se, në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të burimeve të hapura në internet, është konstatuar ekzistenca e faqes:

https://evisia-al.com/albaniavisaenquirylive/

e cila përmban materiale dhe informacion të ngjashëm me ato të publikuara në faqen zyrtare të aplikimit për vizë hyrjeje të shtetasve të huaj në Republikën e Shqipërisë.

Në këtë kuadër, sqarojmë se faqja e sipërcituar nuk është faqe zyrtare dhe nuk është e autorizuar nga autoritetet shtetërore shqiptare për të ofruar informacion apo shërbime lidhur me procedurat e vizave.

Theksojmë se faqja e vetme zyrtare për aplikimet për vizë elektronike shqiptare, së cilës duhet t’i drejtoheni, është:

https://e-visa.al/

MEPJ u bën thirrje qytetarëve dhe të interesuarve të tregojnë kujdes maksimal dhe të përdorin vetëm burime zyrtare për aplikime dhe informacion, me qëllim shmangien e çdo abuzimi të mundshëm.

Organet e sigurise kibernetike dhe autoritetet ligjzbatuese po marrin masa për të bllokuar cdo aktivitet të paligjshëm si dhe gjurmimin dhe ndjekjen e personave përgjegjes sipas legjislacionit në fuqi.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është duke e ndjekur këtë çështje me qëllim marrjen e masave të nevojshme“, thuhet në njoftimin zyrtar.