Politikë

“Mbledhje pa deputetin, histori deliri e joproduktive”, Braçe reagon pasi nuk u ftua në takimin e njësisë 5!

Deputeti Erion Braçe, i cili ka shpallur kandidaturën për kryebashkiak të Tiranës dhe njëkohësisht ka nisur punën në terren për zgjedhjet lokale të ardhshme, ka reaguar sot me një video-postim në rrjetin social, ku përveç urimeve për festën e Pashkëve dhe falënderimeve për urimet e ditëlindjes së tij që ka marrë gjatë javës, bëri edhe një analizë dhe komente nga situatat politike.

Ai preku si zhvillimet brenda PS-së, debatet në Asamble, situatën politike mes dy kampeve, fushat e nisur për zgjedhjet e ardhshme, ajo ekonomike dhe veçanërisht çështja e delegimeve në qarqe apo lëvizja e deputetëve si dhe në fund çmimi i karburanteve.

Braçe mes të tjerash e cilëson si “hudhra e javës” analizën që bën dhe gjithashtu nënvizon se “drejtorokracia është e padurueshme”, duke nxjerrë në pah problematikat brenda kampit mazhoritar. Ai u shpreh kundër delegimeve nga një zonë në tjetrën apo lëvizjes së deputetëve, duke thënë se “besimi kërkon vite për t’i fituar” dhe se delegimet pa mandat nuk janë pozitive.

Në fund Braçe thekson se nuk është kundër PS-së pavarësisht komenteve që i janë bërë dhe as kundër kandidimit të Ogerta Manastirliut, por shprehet se “kërkon t’i japë Tiranës një alternativë tjetër, sepse nuk po qeveriset”.

“Në fund, kjo paranoja “ERIONIN e kemi kundër”, pasuar me këtë “markimin” që kurrë s’ju bë karburanteve-fjala bie, por njerëzve ju bëhet, është qesharake, sinqerisht! Ua thashë edhe në Asamblenë e 5-ës-nuk jam kundër Ogertës; thjesht dua t’i jap PS dhe QYTETIT që nuk po qeveriset e nuk shërben, një ALTERNATIVË tjetër. Më thjeshtë se kaq nuk ka!”, deklaron ai mes të tjerash.

Postimi i plotë i Erion Braçes:

JAVA E MIRË E PASHKËS DHE HUDHRA QË NUK DUHET!

Ishte realisht një javë e mirë; mbyllet sot dhe dua t’i them disa fjalë;

Shumë faleminderit posaçërisht socialistëve të asambleve të PS me të cilët u takova e shtrëngova duart këtë javë;

Një histori e parë që përsëritet e më ndjek nga mbrapa nga Lushnja e Divjaka; një histori deliri dhe e padenjë, tërësisht jo produktive e që kërkon të ndërtojë madhështine qesharake, gjithnjë duke më ndjekur pas.

Kjo mania për të shkulur deputetin nga zona-me arsyen se krijon lidhje njerëzore e mezi shkulet pastaj, është gabim;

Jo për deputetin, por për njerëzit! Paqëndrueshmëria në marrëdhënie me ta, është mungesë serioziteti dhe demton punën. POLITIKA ËSHTË PUNË ME NJERËZIT, MARRËDHËNIE BESIMI QË NUK VENDOSET ME ORË, AS DITË POR MERR VITE! Po flas për deputetët që territorin e kanë punë, as ofiq, as mburrje, as delegim për njerëz pa mandat, pa njohje, pa dije e pa ndikim kund!

Thënë kjo, të zëvendësosh deputetin e votuar nga njerëzit me drejtorokracinë, është e pamend, sado elegant të jetë emri që i vëmë; tërësisht e pamend në raport me qëllimet që ke, veçanërisht kur delegon pushtet partiak tek ta, për të kapërcyer deputetin; veçanerisht kur harron që një arsye pse punëtore partie demotivohen është drejtorokracia e padurueshme.

Në fund, kjo paranoja “ERIONIN e kemi kundër”, pasuar me këtë “markimin” që kurrë s’ju bë karburanteve-fjala bie, por njerëzve ju bëhet, është qesharake, sinqerisht! Ua thashë edhe në Asamblenë e 5-ës-nuk jam kundër Ogertës; thjesht dua t’i jap PS dhe QYTETIT që nuk po qeveriset e nuk shërben, një ALTERNATIVË tjetër.