Berisha: PD nuk bëhet pjesë e asnjë ndërhyrjeje në ligjet e drejtësisë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se PD nuk do të bëhet pjesë e asnjë ndërhyrjeje në sistemin e drejtësisë.
I pyetur nga gazetarët gjatë konferencës së sotme për mediet në lidhje me paralajmërimin e ish-ministrit të Drejtësisë dhe kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja për ndërhyrje të mundshme në sistem nëse gjyqtarët bëhen noterë të prokurorëve, Berisha hodhi poshtë idenë që PD të bëhet pjesë e kësaj lëvizjeje.
Ndërkaq, ai theksoi se gjyqtarët dhe prokurorët kanë të drejtë të kërkojnë një piramidë pagash në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.
Berisha tha se më parë nuk ka pasur ankesa nga sistemi i drejtësisë, edhe kur pagat ishin më të ulëta.
“Partia Demokratike nuk bëhet pjesë në mënyrë absolute e asnjë ndërhyrjeje. Gjykatësit dhe prokurorët e vendit kanë të drejtë 100% të pretendojnë një piramidë rrogash në frymën e Kushtetutës dhe ligjeve. Kanë të drejtë të refuzojnë një piramidë rrogash e cila është ndërtuar totalisht mbi baza, qëllimesh të zeza politike”, u shpreh Berisha.
Berisha deklaroi se rritja e pagave kishte për qëllim goditjen e opozitës.
