Bota

Lirohet gazetarja amerikane e rrëmbyer në Bagdad, kusht të largohet menjëherë nga Iraku

Organizata pro-iraniane Kataeb Hezbollah në Irak ka njoftuar lirimin e gazetares amerikane Shelly Kittleson, e cila ishte rrëmbyer në fund të muajit mars në Bagdad.

Sipas deklaratës zyrtare, lirimi i saj bëhet me kusht që ajo të largohet menjëherë nga vendi.

“Vendosëm të lirojmë të akuzuarën amerikane Shelly Kittleson, me kusht që të largohet menjëherë nga vendi”, thuhet në një deklaratë të shkurtër nga Abu Mujahid al-Assaf, një nga drejtuesit e organizatës së mbështetur nga Teherani.

Ditën e rrëmbimit, një zyrtar amerikan kishte bërë të ditur se autoritetet irakiane kishin arrestuar “një person të lidhur me milicinë Kataeb Hezbollah”.

Sipas mediave ndërkombëtare, Kittleson është gazetare me bazë në Romë, e njohur për raportimet e saj nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme, ku ka mbuluar disa luftëra dhe zhvillime të rëndësishme.

Rrëmbimi i saj ndodhi në një rrugë të frekuentuar të Bagdadit, ku persona të armatosur ndaluan automjetin e saj, e nxorën me forcë dhe më pas u larguan me shpejtësi nga vendngjarja.