Ilir Meta: Një ‘replikë’ plot dashuri me gazetaren e nderuar, Znj. Sonila Meço
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka publikuar një reagim në Facebook, menjëherë pas mbylljes së emisionit TASK FORCE me Sonila Meço në Syri TV, ku ditën e sotme panelistët diskutuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e la në qeli ish-presidentin e vendit, në një vendim të paprecedentë dhe pa logjikë juridike.
Pasi falenderon moderatoren për diskutimin e vendimit të GJK në emision, Meta ka dhënë disa detaje për lojën qëllimtë që kjo gjykatë ka bërë me vendimin e sotëm, i cili sipas tij është vonuar për rreth 6-muaj.
Reagimi i Metës:
E dashur Sonila,
Të falenderoj që e nise sot emisionin tënd “Task Force” me vendimin tejet qesharak të Gjykatës së Lanës!
Ky vendim, u vonua qëllimisht me 6 muaj, me gjoja kërkesa të Gjykatës, drejtuar avokatëve të mi por edhe palëve të tjera, prokurorisë dhe policisë, gjoja për të mbledhur sa më shumë të dhëna lidhur me faktet për rrëmbimin tim, që i ka parë e gjithë bota, përveç shumicës vendimmarrëse të Gjykatës së Lanës.
Loja e tyre shumë e trashë se, nuk duan që të shprehen për rrëmbimin, meqënëse kjo çështje gjoja po “hetohet” nga prokuroria, është një justifikim i mjerë sepse ne nuk i kemi kërkuar të nxjerrë përgjegjësitë penale dhe as të identifikojë autorët e atij rrëmbimi të paligjshëm.
Ne i kishim kërkuar, në bazë të fakteve, që janë edhe me video publike dhe me vendime gjykatash, që të shprehej për kushtetutshmërinë e rrëmbimit.
Dhe mjafton diferenca e zyrtarizuar edhe nga Gjykata e Posaçme, se nga momenti i rrëmbimit tim nga banditët me lloj-lloj pantallonash, e deri te njoftimi zyrtar i arrestit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, kishin kaluar rreth 2 orë (fiks 1 orë e 58 minuta)
Po kështu, nuk i kemi kërkuar të shprehej për faktet penale, sepse ato nuk ekzistojnë, por meqënëse kanë vendosur të bëhen vëzhgues ngaqë nuk janë gjyqtarë kushtetues, atë vlerësimin e vëzhguesve e ka shkruar e njëjta dorë që shkruajti në njoftimin e SPAK se “në Dosjen e Xibrakës nuk është vëllai i Edi Ramës por nuk e dimë se kush është”.
Me vjen keq që ju e dashur Sonila jeni zhgënjyer nga ky vendim, por unë kam qenë shumë i qartë, më 2 mars 2020 për Gjykatën e Lanës, që po u imponohej shqiptarëve.
Si mund të pritet integritet nga një gjykatë që i fshehu Komisonit të Veencias, pyetjen kryesore për çështjen e zgjedhjeve lokale të vitit 2019, të bërë nga Shoqata e Bashkive, të drejtuar në atë kohë nga Znj. Voltana Ademi?
Si mund të pritet integritet nga një gjykatë që pyet Komisionin e Venecias se sa e ka mandatin Kryetarja e Gjykatës?
Si mund të pritet integritet nga këta gjykatës që ligjërojnë jo vetëm ndërprerjen antikushtetuese të mandatit të koleges së tyre por edhe i shkurtojnë vetes mandatin kushtetues se ua kërkon “partia”?
Përshëndetje të përzemërta për të gjithë panelin e sotëm dhe ju ftoj të gjithëve më 27 prill, në seancën e parë të gjykimit në themel, dhe në të gjitha seancat e tjera!

