“Një biznesmen ka 200 makina”, Korreshi: Qeveria si lavatriçe, pastron paratë e qytetarëve shqiptarë përmes ndërtimit
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi tha sot se qeveria socialiste po vepron si një lavatriçe e pastrimit të parave nëpërmjet sektorit të ndërtimit.
Duke folur në seancën e sotme plenare, Korreshi tha me ironi se sasia e eurove që qarkulllojnë në Shqipëri nga kjo veprimtari është aq e madhe, sa nëse do e dinte Europa, do të kishte hequr nga qarkullimi këtë kartmonedhë.
“Gjysmat e pallateve janë akoma në emër të ndërtuesve. Ndaloni makinat e bukura që janë rrugës dhe bien në sy. Do të shikoni se asnjëra prej tyre nuk është në emër të shoferit. Një biznesmen ka 200 makina. Ju thoni se pastrimin e parave e kërkon Europa. Ta dijë Europa sa paleta me euro 500-she ka këtu, do ta kishte hequr fare euron nga qarkullimi. Nuk është rastësi që ju mbroni normën e interesit që mund të ketë rënë dhe se po mbroni miletin. Nga ajo që i doni aq shumë shqiptarët, u vodhët 45 milionë euro vetëm me pastrim parash, lavatriçe e centrifuga. Kjo lavatriçja juaj multifunksionale”,-tha Korreshi.

