“PD nuk vjen në pushtet se nuk poston në rrjetet sociale, shkarkoni ChatGPT”
Duke marrë shkas nga shembulli i Peter Magyar në Hungari, Sali Berisha ka gjetur tashmë një tjetër “shkak të madh” për mosardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, mungesën e aktivitetit në rrjetet sociale. Sipas tij, problemi nuk qëndron tek rezultatet politike apo situata në terren, por tek fakti që disa drejtues të PD-së nuk janë mjaftueshëm aktivë me statuse, video dhe reagime në internet.
Në një takim me krerët e seksioneve dhe deputetët e PD, Berisha ka kërkuar që “trimëria” të tregohet në rrjetet sociale, duke i nxitur ata të postojnë vazhdimisht dhe të mos qëndrojnë të heshtur. Madje, ai ka paralajmëruar se aktiviteti i tyre online do të monitorohet, ndërsa ka këshilluar që të përdoren edhe aplikacione të inteligjencës artificiale si ChatGPT, Grok dhe Gemini për të rritur “efektivitetin e reagimeve”.
Sipas Berishës, këto mjete teknologjike mund të ndihmojnë në “përgënjeshtrimin e propagandës”, pavarësisht se ndonjëherë mund të kenë edhe “halucinacione”. Në këtë mënyrë, duket se beteja politike për pushtet po zhvendoset gjithnjë e më shumë nga terreni dhe programet konkrete, drejt algoritmeve, postimeve dhe statistikave të rrjeteve sociale.

