Politikë

Nesër mblidhet Kuvendi/ 4 interpelanca dhe disa projektligje në rend dite

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet nesër në një seancë plenare.

Bazuar në urdhrin e firmosur nga kryeparlamentari Niko Peleshi, seanca e së enjtes, që nis në orën 10:00 pritet të përfshijë një sërë diskutimesh e shqyrtime projektligjesh.

Po ashtu, gjatë seancës së të enjtes janë përcaktuar edhe katër interpelanca me ministrat, si më poshtë:

-Interpelancë urgjente me Ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

-Interpelancë urgjente me Ministrin e Arsimit, Mirela Kumbaro, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

-Interpelancë me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.

-Interpelancë me Zëvendëskryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Albana Koçiu, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.

Ndër projektligjet që pritet të shqyrtohen gjatë seancës janë disa ratifikime dhe shtesa apo ndryshime në ligjet ekzistuese.