Politikë

Balla: Më 17 shkurt të gjithë shqiptarët të jenë në Prishtinë në mbrojtje të UÇK

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot në Kuvend, se deklarata e Kuvendit në lidhje me procesin që po mbahet  në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, është në konsekuencë të plotë me qëndrimet e Partisë Socialiste në këto 35 vite në Kuvend sa i përket çështjeve që lidhen me pastërtinë e luftës çlirimtare në Kosovë.

“Sikur sot të ishte gjallë heroi ynë kombëtar Adem Jashari. Sipas këtyre prokurorëve edhe ai duhej dënuar me 45 vite burg se luftoi për lirinë e vendit të vet. Por heroi kombëtar Adem Jashari, bashkë me shumë heronj të tjerë që u përmendën këtu nuk mund të përballen me këtë aktakuzë, sepse pushtuesi i ka vrarë”, u shpreh Balla.

“Kosova për botën dhe Shtetet e Bashkuara, për NATO-n, qëndroi për diçka më të madhe sesa vetë Kosova. Sipas kësaj pretence edhe Bill Clinton, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që urdhëroi forcat e NATO-s të ndërhynin kundër forcave serbe që vrisnin e prisnin këdo që i dilte përpara, duhet shpallur fajtor”, u shpreh Balla.

Balla deklaroi se pretenca kundër komandantëve të UÇK-së është baltë në vijim të baltave që janë përpjekur të hidhen në këto 27 vite kundër luftës çlirimtare në Kosovë.

“Qëndresa paqësore të popullit të Kosovës, beteja e drejtë për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe valët biblike njerëzore që i iknin kasaphanës, na qenkan zeruar duke i lënë vendin trillimeve se gjoja Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sipas tyre, paska qenë një grup i strukturuar kriminal me drejtim, me zbatim dhe gjithçka tjetër”, deklaroi Balla.

Balla e cilësoi pretencën si alarm të madh.

“Janë 12 mijë bij e bija shqiptarë, të cilëve iu grabit jeta në Kosovë. Janë 20 mijë gra dhe vajza shqiptare në Kosovë që u përdhunuan. Janë edhe 1600 shqiptarë të vdekur e pa u kallur, ose si thonë me këtë gjuhën burokratike të Hagës “rezultojnë të zhdukur”. Po për këta? Po për këta çfarë mund të bëhet dhe si do të bëhet?”, vijoi Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së u shpreh se ndaj askujt, të paktën për krimet në Kosovë nuk janë kërkuar 45 vite burg, veçse për kryekriminelin e Europës pas Luftës së Dytë Botërore, Ratko Mlladiç i cili akuzohet për 8 mijë viktima në Srebrenicë.

Ndërkohë që nuk ka asnjë provë, vijoi Balla, asnjë fakt ndaj komandantëve të UÇK-së.

“Kuvendi i Shqipërisë, kjo sallë këtu me përbërje tjetër, i ka kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë rezolutën 1782/2011. Dhe të shpallen të pabazuara pretendimet për trafik të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri, në Kosovë në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave, informacionit të përditësuar, pra Shqipëria si vend anëtar i Këshillit të Europës në Asamblenë Parlamentare ka goditur dokumentin bazë mbi të cilin është ngritur kjo gjykatë”, u shpreh Balla.

Ai ftoi shqiptarët më 17 shkurt, në orën 14:00 që të jenë të gjithë në Prishtinë në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së.