Aktualitet

Beqir Sina: Komuniteti shqiptar i New York-ut bashkohet sërish për TV Boin

Të dielën, më 12 prill, në restorantin e vëllezërve Lucaj  “Tesoro D’Italia” të Pleasantville, New York, komuniteti shqiptar tregoi edhe një herë forcën e unitetit të tij.
Dhjetëra bashkatdhetarë u mblodhën për herën e dytë në të njëjtin vend në një darkë fondmbledhëse, me qëllim të rritin fondet për ndërtimin e godinës së re të TV Boin në Tuz të Malësisë së Madhe.
Ky event nuk ishte thjesht një mbledhje fondesh, por një shprehje e gjallë e krenarisë kolektive dhe e përgjegjësisë ndaj trashëgimisë sonë kulturore.
Komuniteti shqiptar i New York-ut ka dalë prej vitesh si shembull në diasporë për fushata të tilla. Edhe këtë radhë, ai u bashkua me zemër të hapur për të mbështetur një projekt jetik si është ai për forcimin e medias shqiptare në Mal të Zi.
Organizatori i këtij tubimi për rritjen e fondeve ishte Komisioni i posaçëm fondmbledhës, i kryesuar nga avokati Joseph Dedvukaj.
Në këtë komision bëjnë pjesë :
Dom Nosh Gjolaj, Kolë Ivanaj (menaxher i projektit), nënkryetarët Gjergj Nik Ivezaj, Senad Lulanaj, Enver Gjikaj dhe Gjon Gjokaj, arkëtari Peti Camaj, sekretari Av. Ervin Gjinaj, si dhe anëtarë të tjerë si Prof. Fran Camaj, Marik Nikolla, Pjetrushi Lulgjuraj, Pal Shkreli, Dodë Ivanaj, Zef Bojaj, Nikolla Bojaj dhe Nikollë Prela Bojaj.
Koordinatorë për diasporën janë Prof. Dr. Anton Lajçaj dhe Marash Nucullaj.
Në fjalimet e tyre, folësit e takimit të Njujork-ut, shpërndan mesazhe të fuqishme për të ndihmuar  një dritare e identitetit tonë, në Tuz , Tekevizion Boin.
Av. Joseph Dedvukaj, kryetar i komisionit, theksoi se kjo mbrëmje është një provë për ne si diasporë, për të treguar edhe këtë herë : a jemi të denjë për trashëgiminë që na kanë lënë të parët tanë?
Si folës kresorë ai e përshkroi TV Boin si “fjalën e Malësisë së Madhe, zërin e tokave tona, kujtesën e një populli që ka vuajtur, duruar, luftuar dhe nuk është përkulur kurrë”. Sipas tij, mbështetja për këtë projekt nuk është thjesht një ndihmë financiare, por një obligim moral që na bashkon të gjithëve.
Prof. Dr. Anton Lajçaj, koordinator për diasporën, i cili edhe e udhëhoqi këtë tubim nënvizoi rëndësinë unike të këtij televizioni: “TV Boin është i vetmi medium që transmeton plotësisht në gjuhën shqipe jashtë kufijve administrativë. Ne si diasporë ndihemi të detyruar të ndihmojmë që gjuha, kultura dhe identiteti ynë të mbeten gjallë”.
Në ndërkohë Marash Nucullaj e quajti TV Boin “institucion që na ka dhënë shpresë dhe dritë në kohë të vështira, duke kujtuar raportimet e para nga Kombet e Bashkuara ( takimin me ambasadorin amerikan Negopronte, tre dekada më parë) demostratat në Washington, Deroit e New York”.
Nucullaj si kryetar i degës së LQSHA në Michigen, tha se edhe çifti DioGuardi ka dhuruar 1000 dollarë dhe ka ftuar të gjithë të kontribuojnë për ta mbajtur këtë zë aktiv.
Arkëtari Peti Camaj falënderoi të gjithë donatorët e pranishëm dhe shtoi se “ky televizor është dritarja e të gjithë shqiptarëve të Malësisë drejt botës së jashtme”.
TV Boin u tha se u themelua më 28 nëntor 2001 nga i ndjeri Tomë Bojaj . Dhe se qëllimi i tij ka qenë dhe mbetet ruajtja dhe avancimi i të drejtave kolektive e individuale të shqiptarëve në Mal  të Zi, si pakicë me gjuhë, tradita dhe kulturë krejt të ndryshme nga të tjerat.
Ata thanë se ky është televizioni i parë dhe i vetmi në Mal të Zi me program 24-orësh në gjuhën shqipe. “Çdo ditë sjell kronika, intervista, informata, reportazhe dhe vështrime që informojnë opinionin në gjuhën amtare dhe bëjnë që zëri i shqiptarëve të dëgjohet për problemet që i preokupojnë.”
Folësit thanë se ky projekt i godinës së re është një hap vendimtar për të forcuar median shqiptare, për të ruajtur gjuhën dhe për të trashëguar kulturën te brezat e rinj. Suksesi i tij varet nga uniteti ynë si në vendlindjen tonë, ashtu edhe këtu në diasporë.
Fushata ” Të ndihmojmë Boin TV” vazhdon…….
Organizatorët thanë në fund se mbrëmja e 12 prillit në Pleasantville NY, na kujtoi se kur bashkohemi, mund të bëjmë gjëra të mëdha : “Tani është radha e çdo bashkatdhetari kudo që ndodhet të kontribuojë, të përhapë fjalën dhe të mbështesë TV Boin. Sepse duke ndihmuar këtë zë, ne ndihmojmë veten, fëmijët tanë dhe identitetin tonë kolektiv. Le të jemi krenarë për atë që kemi bërë deri tani dhe le të vazhdojmë së bashku të bëjmë më për vendin tonë.”