“U goditën qëllimisht drejtuesit e lartë të PD-së”, Berisha mbyll protestën: Nuk tërhiqemi, mision përmbysja e narkoregjimit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalimin e mbylljes së protestës akuzoi drejtuesit e policisë që kanë sulmuar zyrtarët më të lartë të PD gjatë protestës.
“Qëndruat të pamposhtur ndaj një terrori të një regjimi që u suall sonte si një pushtues barbar. Zëri juaj, qëndresa juaj u shndërrua në tmerr të vërtetë për narkoregjimin e Edi Ramës. Sot me urdhër të Ramës, Skënder Balluku, Sokol tradhtari, besëpreri Bizhga dhe Enton Allushi, shefi i njësisë operative kanë treguar fytyrat e vërteta prej kriminelësh profesionistë, nuk kanë asgjë të përbashkët me punonjësit e policisë por janë kriminelë që mendojnë se do të zbrapsin një popull të tërë në emër të dyshes Rama-Balluku.
Dosja Rama-Balluku nuk mbyllet deri në ditën e fundit të jetës së tyre, nuk ka forcë në botë që ti mbrojë nga ndëshkimi popullor. Sot në emër të Ballukut dhe Ramës, Skënder Balluku shënjestroi dhe goditi drejtuesit kryesorë të PD. Luciano Boci është në spital me djegie, Noka pësoi goditje por vzhdon detyrën, Klevis Balliu, gazetari Aulon Kalaja, një hakmarrje për qëndrimet e tij ndaj regjimit. Drejtues dhe veprimtarë të tjerë janë të plagosur. Sot, Sokol Balluku ka përdorur bombat kundër protestuesve”, tha Berisha.
Berisha paralajmëroi se protestat nuk do të ndalen. Ai theksoi se shumë shpejt do të njoftohet edhe data e radhës.
Ndërsa theksoi se është me rëndësi që opozita të bashkohet.
“Shumë shpejt do të caktohet. Nuk tërhiqemi. Kryengritja jonë paqësore nuk tërhiqet. Të gjitha format e protestave do të përdoren. Kjo kryengritje paqësore ka mision përmbysjen e narko-regjimit. Ky është një mision i PD, por edhe i forcave të tjerë opozitare dhe grupeve të tjera të interesit dhe do bëjmë gjithçka të bashkohemi në një front të përbashkët. E shtata apo e teta me radhe e panjohur më parë në Shqipëri, ka mbështetje shqiptare dhe botërore”, tha ai.

