Irani hap Hormuzin, 20 anije përshkojnë pa probleme Ngushticën. Bie çmimi i naftës në Bursa
Anijet duket se po lëvizin nëpër Ngushticën e Hormuzit, sipas të dhënave nga faqja e gjurmimit MarineTraffic.
Disa mjete lundruese, të cilat sipas faqes përfshijnë anije të projektuara për transportimin e naftës, gazit të lëngshëm të naftës dhe kimikateve, mund të shihen duke kaluar nëpër këtë korridor detar kyç.
Kjo është lëvizja e parë e madhe e anijeve në këtë rrugëkalim kyç që nga nisja e luftës së SHBA-ve dhe Izraelit kundër Iranit shtatë javë më parë.
Sipas të dhënave të MarineTraffic, ato po kalonin në ujërat iraniane në jug të ishullit Larak, ndërsa më shumë anije të tjera cisternë po i ndiqnin nga Gjiri Persik.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka shprehur optimizmin se këtë fundjavë do të ketë një raund të dytë bisedimesh me Iranin.
Mes postimeve që vërshuan në rrjetin e tij Truth, Trump tha se Irani kishte rënë dakord të mos e mbyllë më Hormuzin dhe të mos e përdorë si armë kundër botës.
Ndryshe nga kryediplomati iranian, presidenti amerikan tha se hapja e Ngushticës nuk lidhet kurrsesi me Libanin, ndërsa theksoi se ia ka ndaluar Izraelit të bombardojë ende Libanin. Zëdhënësi i presidentit iranian u përgjigj në rrjetin X, duke thënë se hapja e Ngushticës është e kufizuar dhe shërben për të testuar angazhimin nga pala kundërshtare.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, Donald Tramp tha se do të punojë me Iranin për mbledhur pluhurin bërthamor të uraniumit të pasuruar për ta rikthyer në Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan beson se fushata e bombardimeve ia ka shkatërruar rezervat e uraniumit të pasuruar, që mund të përdorej për prodhimin e armëve bërthamore. Besohet se Irani ka patur deri 450 kilogram uranium të pasuruar në masën 60%.
Hapja e Ngushticës u përshëndet nga presidenti francez, kryeministri britanik, kancelari gjerman, kryeministrja italiane dhe pjesëmarrës të tjerë të samitit me 40 vende të mbledhur në një Samit në Paris për të diskutuar mbi mënyrat e mbajtjes hapur të Hormuzit. Megjithatë, ata shprehën nevojën për të qenë të angazhuar, pasi nuk ka garanci se Ngushtica do të qëndrojë gjatë e hapur.
Bursat e naftës së papërpunuar në Londër dhe Teksas reaguan menjëherë duke reduktuar çmimin deri në 83 dollarë për fuçi, një rënie drastike me më shumë se 11%.

