A do të dalë nga qelia Ilir Meta? Gjykata e Lartë kthen për rigjykim masën e sigurisë ndaj ish-presidentit!
Gjykata e Lartë ka rikthyer për rigjykim në Apel masën e sigurisë ndaj ish-presidentit dhe kreut të PL, Ilir Meta. Konkretisht Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e dhënë nga Apeli i GJKKO më 30 janar, ku Metës iu rrëzua kërkesa për zbutjen e sigurisë, dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me të njëjtin trup gjykues. Vendimi u dha nga treshja penale Ilir Panda, Albana Boksi dhe Genti Shala.
Ndërkohë që rekursi tjetër për pezullimin e afateve të paraburgimit është rrëzuar nga GJL. Pra janë 2 rekurse të Metës që Gjykata e Lartë është shprehur sot.
Duhet theksuar se këto zhvillime sjellin një kthesë në çështjen e Ilir Metës, ku vazhdimisht ka marrë vetëm refuzime nga shkallët e gjyqësorit.
Sipas vendimit, bëhet fjalë për prishjen e vendimit nr. 25, datë 30.01.2026, të Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke urdhëruar që çështja të shqyrtohet sërish nga i njëjti trup gjykues.
Procedimi lidhet me kërkesën e Metës për ndryshimin e masës së sigurisë, në bazë të disa neneve të Kodit të Procedurës Penale, si dhe të Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kujtojmë që Ilir Meta është në qelinë e paraburgimit 313 në Tiranë që prej tetorit 2024. Ish-presidenti i Shqipërisë, dhe kreu i Partisë së Lirisë, po hetohet për 3 çështje.
Meta dyshohet se në bashkëpunim me ish-deputeten Monika Kryemadhi dhe funksionarë të tjerë, kanë shfrytëzuar postet publike për të favorizuar kompani private dhe për të përfituar shuma të konsiderueshme parash.
Sipas hetimeve, aktivitetet përfshijnë lobime në SHBA dhe transaksione të dyshuara për shitblerje pronash, ndërsa këto përfitime dyshohet se nuk janë deklaruar pranë ILDKPI dhe KQZ.
Ndërkohë, ndaj Kryemadhit vijon hetimi nga SPAK për veprat penale të pastrimit të parave, korrupsionit dhe mosdeklarimit të të ardhurave. Gjykata ka lënë në fuqi masën “detyrim për t’u paraqitur” për të, si dhe për shtetasen Ema Çoku, e dyshuar për pastrim parash.
Për shtetasin Piro Xhixho, i hetuar për korrupsion pasiv, masa e sigurisë është zëvendësuar nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur”, me detyrimin për t’u paraqitur një herë në muaj pranë Policisë Gjyqësore të SPAK.

