Skandali me fantazmën “Jet Bank”: Në QKB e deklaruar angleze, në Bankën e Shtetit holandeze
Banka e Shqipërisë licencoi si bankë të parasë elektronike subjektin e huaj me emrin “Jet Bank” më 31 mars 2026, tetë muaj pasi kompania “Jet Albania” u krijua si shoqëri aksionare në Shqipëri, nga izraeliti Idan Avisha, për shërbime financiare, strukturim dhe transaksione financiare dhe menaxhim asetesh e investimesh
“Pamfleti” ka denoncuar me fakte aktivitetin e vërtetë që ka kryer jashtë e brenda Shqipërisë pronari i kësaj banke elektronike dhe dy anëtarët e bordit të kësaj banke, izraelitët Oliver Hemmer e Rami Solomon, dhe grupin mafioz që fshihet pas tyre.
Sot po publikojmë dy dokumente zyrtare për mashtrimin tjetër që pronari izraelit i “Jet Bank”, Idan Avisha, i ka bërë shtetit shqiptar gjatë aplikimit për krijimin e kompanisë “Jet Albania”, të cilën, me të njëjtin numër NUIS/NIPT: M51923013I, e ka licencuar si bankë të parasë elektronike me emrin “Jet Bank”.
Në datën 8 korrik 2025, në kërkesën drejtuar Qendrës Kombëtare të Biznesit për themelimin e “Jet Albania” me aktivitet menaxhimesh financiare, pronari Idan Avisha ka deklaruar se ky biznes dhe kapitali në vlerë 3.5 milionë lekë janë me origjinë angleze.

Ndërsa në aplikimin që ka bërë në Bankën e Shqipërisë për t’u licencuar si bankë e parasë elektronike dhe në dokumentin e licencës nr. 20, datë 31 mars 2026, pronari izraelit Idan Avisha ka mashtruar sikur “Jet Bank” është 100% me kapital me origjinë holandeze, pjesë e grupit “Jet Holdings B.V – Holandë”.

Në aktin e themelimit, të deklaruar në Ekstraktin e Qendrës Kombëtare të Biznesit në Shqipëri, Idan Avisha ka deklaruar emrin e tij si pronar i 100% të kapitalit të shoqërisë “Jet Albania” dhe emrat e 3 anëtarëve të bordit, që janë dy izraelitët Oliver Hemmer e Rami Solomon dhe Fatbardha Rino, njëherazi kryetare e bordit dhe administratore.
Ndërsa në dosjen e Licencës Nr. 20, datë 31 mars 2026, që i ka dhënë Banka e Shqipërisë për aktivitet si bankë e parasë elektronike, Idan Avisha është lejuar të mos deklarojë emrin e tij dhe të dy bashkëpunëtorëve izraelitë anëtarë bordi.
Në Qendrën Kombëtare të Biznesit ka deklaruar adresën: “Rruga Pjetër Bogdani”, Ndërtesa “Technoproject”, Kati 4, Apartamenti nr. 13 – Tiranë.
Ndërsa në licencën si bankë e parasë elektronike, pavarësisht se me të njëjtin Nr. NUIS/NIPT: M51923013I për të dy bizneset, ka deklaruar adresën: “Sheshi Italia, Lake Park Central (Hotel Mak Albania), Godina B3, kati i dytë – Tiranë”.
Në datën 31 korrik 2025, vetëm 1 javë pas themelimit të shoqërisë “Jet Albania”, pronari Idan Avisha shkarkoi veten e tij nga detyra e administratorit dhe emëroi shtetasen shqiptare Fatbardha Rino, lidhje familjare e një ministreshe aktuale (Delina Ibrahimaj).
Ndërsa në datën 25 gusht 2025, vetëm 1 muaj pas themelimit të shoqërisë, hoqi adresën: “Rruga e Kavajës, ndërtesa nr. 27, kati i 5-të, Njësia Bashkiake Nr. 10”, që ishte adresa e qendrës call-center ilegale e goditur nga SPAK. /Pamfleti

