Aktualitet

Disfata e dyfishtë e Putinit/ Humbja e vetos së Budapestit dhe mbyllja e kanalit bankar OTP

Qeveria e re e Peter Magyar pritet të ushtrojë presion mbi Bankën Kombëtare të Hungarisë për të rregulluar aktivitetet e OTP-së sipas standardeve të rrepta të Brukselit. Për rrjedhojë, Rusia do të humbiste urën kryesore financiare që i mundësonte anashkalimin e sanksioneve teknologjike dhe transferimin e kapitalit drejt tregjeve perëndimore…

Mos kini asnjë iluzion: Kremlini po e ndjen peshën e humbjes pas fitores historike të opozitës hungareze, e cila i dha fund sundimit 16-vjeçar të Viktor Orbán. Dhe goditja e parë dhe më e drejtpërdrejtë është ajo ideologjike.

Orbán ishte prova e gjallë se “demokracia joliberale” ishte e mundur, popullore dhe madje e qëndrueshme brenda Bashkimit Evropian. Rënia e tij dëmton këtë narrativë dhe krijon një precedent të pakëndshëm për mbështetësit e tjerë të Moskës.

Për ata që janë në pushtet, si në Sllovaki, apo edhe për ata që aspirojnë të vijnë, si në Gjermani e Republikën Çeke. Këto lëvizje bashkohen rreth nacionalizmit dhe kundërshtimit ndaj BE-së, duke mbështetur pretendimin rus se blloku evropian është një strukturë artificiale që shtyp dëshirën e njerëzve të zakonshëm.

Shumica e këtyre partive të djathta janë skeptike ndaj sanksioneve dhe ndihmës për Ukrainën. Edhe në këtë pikë, Viktor Orbán ishte pionier. Që nga viti 2022, Hungaria e ka penguar vazhdimisht zgjatjen e sanksioneve dhe ndarjen e fondeve ushtarake për Kievin përmes Fondit Evropian të Paqes (EPF), si dhe ka bllokuar procesin e anëtarësimit të Ukrainës në BE.

Gatishmëria e Orbán-it për të bllokuar mbështetjen perëndimore u bë gjithnjë e më agresive. Në vitin 2024, ai bllokoi ndryshimet teknike që do t’i mundësonin Ukrainës një hua prej 50 miliardë dollarësh, duke pritur hapur rikthimin e Donald Trump në pushtet. Vetëm tre javë para zgjedhjeve të fundit, ai pengoi sërish një paketë ndihme prej 100 miliardë dollarësh, duke e kushtëzuar atë me rregullat e tranzitit të naftës përmes tubacionit “Druzhba”.

Në fakt, Orbán nuk ka qenë kurrë një pacifist parimor apo një aleat ideologjik i palëkundur i Rusisë. Karriera e tij nisi me qëndrime të forta anti-sovjetike. Megjithatë, ai u tregua një pragmatik i regjur, duke përdorur të drejtën e vetos për të nxjerrë përfitime maksimale për Hungarinë: fonde nga Brukseli, përjashtime nga sanksionet energjetike dhe dëmshpërblime tranziti.

Për Moskën, ky qëndrim ishte një dhuratë. Sepse ai jo vetëm që ngadalësoi masat anti-ruse, por i kushtoi BE-së kohë, para dhe kapital të çmuar politik. Me largimin e Orbán nga pushteti, Moska humbet frenin e saj kryesor në Bruksel.

Edhe pse Kremlini u përpoq zyrtarisht ta minimizonte këtë ngjarje përmes zëdhënësit të Putinit, Dmitry Peskov, i cili deklaroi se “nuk kanë qenë kurrë miq”, realiteti tregon të kundërtën.

Qeveria e re hungareze ka sinjalizuar tashmë një rindërtim të raporteve me BE-në, kryesisht për të zhbllokuar 30 miliardë eurot e ngrira nga Brukseli.

Në aspektin ekonomik, Budapesti shërbente si një urë financiare dhe energjetike. Hungaria mbetet një blerës i madh i gazit rus përmes kontratave afatgjata me Gazprom deri në vitin 2036, me një vlerë rreth 2.5 miliardë dollarë në vit./Pamfleti