Opinion

Intervista/ Dritan Demiraj: Në përgjimet e shërbimeve sekrete të BE, ministrat e PS janë kapur si të përfshirë në trafiqe të drogës

Intervistë me zotin Dritan Demiraj, ish ministër i Brendshëm

Jakup B. Gjoça
Gazeta Telegraf

Dritan Demiraj, ish ministër i Brendshëm, në intervistën për Gazetën ‘Telegraf’, pohon se krimi i organizuar po investon në Shqipëri në fushën e ekonomisë dhe se edhe “Departamenti i Shtetit i SHBA-së dhe organizata të tjera kanë evidentuar rreziqe reale të infiltrimit të krimit të organizuar në ekonomi dhe segmentet më të larta të politikës nga maxhoranca”. Zoti Demiraj, është kritik ndaj mënyrës sesi Opozta po përballet me mazhorancën, duke theksuar se “Strategjia, që ka zgjedhur deri tani opozita, e cila lidhet me protestat, në gjykimin tim modest është krejtësisht e dështuar”. Dhe shton se “Një regjim hajdutësh, që mbron dhe mbështetet nga krimi i organizuar dhe ka shërbim një polici të politizuar krejtësisht nuk mund të rrëzohet me protesta paqësore”. Ndërsa rezolutat e qeverisë së Kryeministrit Rama për të cilësuar Iranin “terrorist” thotë se “ky vendim nuk është marrë për interesat e Shqipërisë, por thjesht dhe vetëm për interesat e Ramës”.

Vendim, JO për interesat e Shqipërisë, por vetëm për interesat e Ramës

A duhej që Shqipëria (me iniciativën e kryeministrit Rama) të miratojë në Parlament rezolutë, që ta cilësojë Iranin “shtet terrorist”?

Shqipëria ka bërë shumë mirë që e ka cilësuar Iranin si vend që mbështet terrorizmin. Kjo është e vërtetuar tashmë prej shumë vitesh. Por ajo që vlen të theksohet është se ky vendim nuk është marrë për interesat e Shqipërisë, por thjesht dhe vetëm për interesat e Ramës, me qëllim që të sigurojë mbështetje sa më të madhe nga Izraeli në SHBA dhe për të krijuar një ‘paprekshmëri’ për problemet që ka me administratën amerikane dhe drejtësinë europiane.

A është real nënvlerësimi, që kryeministri Rama i bëri paralajmërimit të SHBA, për një mundësi, që Irani mund të qëllojë Shqipërinë me raketa balistike?

Ky është nga budallallëqet e Ramës për të tërhequr vëmendje dhe për të siguruar një takim në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Demiraj, shpesh here kongresmenë amerikanë republikanë dhe demokratë, pavarësisht se cili është Presidenti i SHBA, kanë shprehur publikisht qëndrimet e tyre për ecurinë e demokracisë, për situatën politike në Shqipëri, diametrikisht të kundërt me qëndrimin zyrtar të DASH dhe diplomatëve të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Ju, si e shpjegoni këtë?

Kjo nuk është domosdoshmërisht kontradiktë, por reflektim i roleve të ndryshme institucionale në SHBA. Kongresmenët, si republikanë ashtu edhe demokratë, kanë më shumë liri politike për të artikuluar shqetësime të drejtpërdrejta mbi standardet demokratike, shtetin e së drejtës apo zgjedhjet, shpesh edhe në përgjigje të diasporës shqiptare në SHBA. Ndërkohë, Departamenti i Shtetit i SHBA-së dhe Ambasada në Tiranë operojnë mbi bazën e diplomacisë ekzekutive: Ruajtje marrëdhëniesh strategjike, stabilitet rajonal dhe angazhim pragmatik me qeverinë në detyrë. Për këtë arsye, gjuha e tyre është zakonisht më e matur dhe e kalibruar. Pra, kemi dy plane paralele: një zë politik më kritik nga Kongresi dhe një qasje më institucionale e ekzekutivit. Të dyja janë pjesë e të njëjtit sistem demokratik amerikan dhe shpesh plotësojnë njëra-tjetrën.

Në raportet vjetore të DASH për Shqipërinë, theksohet; rritja e ndikimit të krimit të organizuar në jetën politike, pastrimi i parave, mungesa e konkurrencës, dhënia e koncesioneve jo transparence, korrupsioni etj.,. Përse ka kaq qëndrime të kundërta mes raporteve të DASH dhe qëndrimit të ambasadës së saj në Tiranë?

Së pari, raportet vjetore të Departamenti i Shtetit i SHBA-së për korrupsionin, përfshirjen e krimit të organizuar në politikën shqiptare, trafikun e drogës, të drejtat e njeriut, klimën e investimeve, etj janë dokumente analitike dhe faktike. Ato hartohen me metodologji standarde, përfshijnë burime të shumta si shërbimet e inteligjencës, raporte gjyqësore, OJQ, organizata ndërkombëtare, etj dhe synojnë të japin një pasqyrë të plotë, edhe kritike, të problematikave: korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave, konkurrenca në ekonomi, etj.

Së dyti, deklaratat publike të Ambasadës në Tiranë janë pjesë e diplomacisë operacionale. Ato kanë funksion:

të ruajnë marrëdhënien strategjike me qeverinë në detyrë,

-të mos destabilizojnë mjedisin politik,

-të inkurajojnë progresin përmes një gjuhe më të balancuar dhe shpesh më pozitive.

Në praktikë, diplomatët nuk i mohojnë gjetjet e raporteve; ata thjesht përdorin një gjuhë të kalibruar, që synon të ruajë aksesin dhe ndikimin në terren. Ky është një standard i njohur në diplomacinë amerikane dhe jo një devijim specifik për Shqipërinë.

Përfshirja e ministres së Mbrojtjes Kodheli, duke facilituar grupet e trafikut, fikjen e radarëve, që droga të kalonte pa u dalluar (sipas informacioneve të antimafies italiane). Strategjia, që ka zgjedhur deri tani opozita, e cila lidhet me protestat, në gjykimin tim modest është krejtësisht e dështuar

Ju keni bërë edhe nota proteste, që ministrat shqiptarë dhe qeveria janë të lidhur me trafikantët e kokainës. Mendoni se këto lidhje ministra- mafia janë në rrafshin personal (të ministrave), apo ka një qëndrim të njehësuar të qeverisë?

Unë nuk mund të bëj atribime të drejtpërdrejta për individë apo të përgjithësoj përgjegjësinë në nivel qeverie pa prova të verifikuara publikisht dhe vendime gjyqësore, por përfshirja e Sajmir Tahirit në trafikun e drogës, përfshirja e ministres Kodheli, duke facilituar grupet e trafikut, fikjen e radarëve që droga të kalonte pa u dalluar (sipas informacioneve të antimafies italiane, deklaratave në gjyq të trafikantëve në adresë të ministres që drejtohet nga Kodheli dhe denoncimit publik të MPB në vitin 2017 në adresën e Kodhelit, janë vetëm maja e aisbergut të përfshirjes edhe të ministrave të tjerë të brendshëm në trafikun dhe me trafikantët e drogës. Në përgjimet e shërbimeve sekrete të BE-së ministrat e PS janë kapur me presh në duar, si të përfshirë në këto trafiqe, por jo vetëm. Departamenti i Shtetit i SHBA-së dhe organizata të tjera kanë evidentuar rreziqe reale të infiltrimit të krimit të organizuar në ekonomi dhe segmentet më të larta të politikës nga maxhoranca.

A ka patur reagime konkrete nga institucionet ndërkombëtare, ku ju jeni drejtuar nga notat tuaja të protestës?

Po, ka pasur reagime, por zakonisht jo në formë publike apo individuale ndaj çdo note proteste. Institucionet ndërkombëtare funksionojnë mbi procedura të standardizuara: Ato i marrin në konsideratë shqetësimet e adresuara nga aktorë publikë, i verifikojnë ato përmes kanaleve të tyre dhe i reflektojnë kur gjejnë fakte. Në këtë kuadër:

-Departamenti i Shtetit i SHBA-së dhe organizata të tjera ndërkombëtare përfshijnë gjetje mbi korrupsionin, krimin e organizuar dhe shtetin e së drejtës në raportet e tyre vjetore.

-Bashkimi Evropian i adreson këto çështje në raportet e progresit dhe kushtëzimet për integrimin.

-Këshilli i Evropës dhe mekanizmat e tij si psh. GRECO, Interpol fokusohen në standardet e antikorrupsionit dhe integritetit institucional.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së dhe organizata të tjera kanë evidentuar rreziqe reale të infiltrimit të krimit të organizuar në ekonomi dhe segmentet më të larta të politikës nga maxhoranca

A ka rrafsh bashkëpunimi të zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare me krimin e organizuar për interesa elektorale dhe për pastrimin e parave të zeza në ekonominë shqiptare?

Nuk mund të pohohet në mënyrë kategorike se ekziston një bashkëpunim i institucionalizuar i zyrtarëve të lartë me krimin e organizuar pa prova të verifikuara dhe vendime gjyqësore përfundimtare. Megjithatë, në plan analitik, raportet ndërkombëtare dhe vlerësimet e institucioneve si Departamenti i Shtetit i SHBA-së, si dhe mekanizmat e Bashkimi Evropian, kanë ngritur prej vitesh shqetësime të përsëritura për:

-Ndikimin e krimit të organizuar në ekonomi dhe segmente të politikës,

-Rrezikun e përdorimit të parave informale në proceset fallso elektorale,

-Mangësi të qëllimshme në luftën kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

Për Shqipërinë, evidencat publike ndërkombëtare flasin për rreziqe dhe dobësi serioze në dy nivelet e para, ndërsa kalimi në nivelin e tretë (bashkëpunim i institucionalizuar) mbetet një pretendim që kërkon prova të forta ligjore dhe konsensus ndërkombëtar.

Kështu siç po zhvillohen protestat e opozitës, mendoni se është strategji e duhur politike opozitare?

Strategjia, që ka zgjedhur deri tani opozita, e cila lidhet me protestat, në gjykimin tim modest është krejtësisht e dështuar. Një regjim, që ka vjedhur miliarda dollar nga xhepat e Shqiptarëve nuk rrëzohet me dy orë parakalim në bulevard dhe me disa fjalime të disa prej figurave opozitare të cilat njihen nga populli edhe ata si persona me probleme në lidhje me korrupsionin. Lidershipi i PD dhe z. Sali Berisha duhet të ndjekin të njëjtën strategji me vendet fqinje, të cilat kanë qënë të suksesshme të rrëzojnë regjime edhe më të forta, sesa regjimi i Rilindjes. Rasti i fundit është Hungaria.

Ky është nga budallallëqet e Ramës për të tërhequr vëmendje dhe për të siguruar një takim në Shtëpinë e Bardhë.  Një regjim hajdutësh, që mbron dhe mbështetet nga krimi i organizuar dhe ka shërbim një polici të politizuar krejtësisht nuk mund të rrëzohet me protesta paqësore

Kujt i shërben përdorimi i dhunës në protestat e opozitës?

Personalisht jam kundër dhunës gjatë protestave, por një regjim hajdutësh, që mbron dhe mbështetet nga krimi i organizuar dhe ka shërbim një polici të politizuar krejtësisht nuk mund të rrëzohet me protesta paqësore, si në Suedi apo Norvegji.

Situata gjeopolitike e luftës SHBA- IRAN, sa do të ndryshojë rrjedhën botërore?

Personalisht mendoj se do ta ndryshojë ndjeshëm, por shkalla e ndryshimit varet nga kohëzgjatja e konfliktit, fati i Ngushticës së Hormuzit dhe nëse lufta mbetet dypalëshe apo zgjerohet më tej në rajon. Sipas ngjarjeve aktuale në datën 20 prill, trafiku në Hormuz është sërish pranë bllokimit, nafta është rritur rreth 5 për qind dhe tregjet po reagojnë me shqetësim ndaj përshkallëzimit të fundit. Në planin global ekonomik, goditja më e menjëhershme është energjia, transporti detar, siguracionet, inflacioni dhe zinxhirët e furnizimit. IMF-ja ka paralajmëruar se një mbyllje më e gjatë e Hormuzit dhe dëmtime të mëtejshme të infrastrukturës energjetike do ta përkeqësojën më shumë ekonominë botërore, ku rritja globale mund të zbresë në 2.5 për qind dhe inflacioni të ngjitet në 5.4%. Në planin gjeopolitik-strategjik, kjo luftë përshpejton disa procese që tashmë kishin nisur:

Së pari, rritet fragmentimi i rendit ndërkombëtar dhe logjika e blloqeve rivale.
Së dyti, SHBA detyrohet të rikthejë vëmendje, mjete ushtarake dhe kapital diplomatik në Lindjen e Mesme, gjë që mund të ndikojë balancën e saj strategjike ndaj Kinës dhe në Indo-Paqësor.

Së treti, aktorë të tjerë të rëndësishëm si Rusia dhe Kina po përfitojnë indirekt nëse SHBA-të konsumohen në një konflikt të gjatë dhe të kushtueshme në këtë konflikt. Këto pasoja janë inferenca strategjike të mbështetura nga fakti që konflikti tashmë ka dëmtuar trafikun detar, tregjet energjetike dhe prioritetet globale të politikëbërjes. Në planin ushtarak dhe rajonal, rreziku më i madh është zgjerimi horizontal i luftës: Milicitë e mbështetura nga Irani, objektivat amerikane në rajon, Izraeli, shtetet e Gjirit dhe rrugët tregtare.

Cilët do jenë fituesit dhe humbësit e luftës SHBA – IRAN?

Meqënëse konflikti nuk ka përfunduar akoma dhe dy vendet SHBA-të dhe Irani pritet të zhvillojnë raundin e dytë të negociatave në Pakistan, përgjigja ime modeste është se deri tani nuk ka fitues, por humbësi më i madh është Izraeli.

-Ju falenderoj!

Sukses apo dështim takimi i fundit në Athinë mes Ramës dhe Mitsotakis

Takimi i fundit në Athinë mes Edi Ramës dhe Kyriakos Mitsotakis nuk ishte as sukses, nuk ishte as diplomaci, as partneritet strategjik por një episod i radhës i një politike të nënshtruar, të dështuar dhe të rrezikshme për interesat kombëtare shqiptare dhe të ardhmen e Kombit Shqiptar.
Ndërsa propaganda qeveritare e Rilindjes flet për “aleancë strategjike” me Greqinë, realiteti është krejt ndryshe. Athina vazhdon të mbajë si ‘kobure’ në kokën e Shqipërisë në fuqi ligjin absurd të luftës që nga viti 1940. Për të gjithë ju që këtë e konsideroni sjellje të një vendi aleat, po ju them haptazi dhe pa akuivok se ky ligj është përdorur dhe vazhdon të përdoret sa herë që Shqipëria ka nevojë për mbështetjen greke të anëtarësimit në BE si më parë në rastin e anëtarësimit në NATO, si një presion të papranueshëm politik dhe historik.
Ironia më e madhe e këtij takimi që shfaqet si një cirk dhe një farsë diplomatike është prezenca e Ferit Hoxhës, i njëjti person të cilin KM me brekushe Rama në vitin 2009 e quante simbolin e një marrëveshje tradhtare, ndërkohë që ai sot është vegël e të njëjtit skenar të turpshëm diplomatik. Kjo nuk është politikë, është hipokrizi e pastër dhe mashtrim i turpshëm publik.
Kjo vërteton atë që kemi shumë vite që jua faktojnë Shqiptarëve, se ky KM prej vitesh punon vetëm për interesat e tij personale dhe jo për interesin kombëtar.
Ky nuk është më problem politik, por është çështje kombëtare dhe për këtë arsye Shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen dhe të mos presin që SHBA-të dhe Trump do t’i nxjerrin nga varfëria.
Mjaft më me këtë teatër të turpshëm! Shqipëria nuk mund të jetë monedhë shkëmbimi për karrigen e askujt. Shqipëria sot nuk po përballet vetëm me presion të jashtëm, por me një dorëzim të plotë të brendshëm të sovranitetit të saj. Ndërkohë, qeveria zgjedh të bëjë spektakël diplomatik, duke lënë pas interesin kombëtar.
Koha për heshtje ka mbaruar. Shqiptarët duhet të zgjohen para se çdo centimetër i këtij vendi të negociohet në heshtje. Kjo për shkak se kur një qeveri shet interesin kombëtar, heshtja nuk është më neutralitet por është bashkëfajësi.