Marrëveshje SHBA-Shqipëri-Greqi për energjinë, Rama: Brenda këtij mandati, shndërrohemi në një vend eksportues neto të energjisë
Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria synon të kthehet në një vend eksportues neto të energjisë brenda këtij mandati.
Komentet Rama i bëri gjatë takimit për nënshkrimin e marrëveshjes mes SHBA-Shqipërisë dhe Greqisë në fushën e energjisë.

“Ka qenë një moment në jetën tonë kur energjia ishte çështje furnizimi për të mbajtur dritat ndezur sa më gjatë të ishte e mundur në harkun e 24 orëve. Nga ana tjetër, jetonim në një vend ku deri një dekadë më parë gjysma e popullsisë paguante për gjysmën tjetër, ndërkohë që e gjithë pasuria e prodhuar nga sistemi ynë ishte në fakt e keqmenaxhuar dhe e vjedhur.
OSHEE deri një dekadë më parë ishte në buzë të falimentit dhe mbahej gjallë nga subvencionet qeveritare. Borxhi ishte më shumë se 5% e PBB-së.
Sot energjia përcakton sigurinë tonë, fuqinë tonë ekonomike dhe ambicien për vendin që zë në rajon dhe në Europë. Të arrijmë që brenda këtij mandati të shndërrohemi në një vend eksportues neto të energjisë.
Një element kyç i këtij rrugëtimi është partneriteti me SHBA, që mbështetet në zotimin e përbashkët ndaj sigurisë energjetike”, tha Rama.

