Politikë

Mesazhi për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, opozita kërkon seancë urgjente me ministrin Hoxha në Komisionin e Jashtëm

Anëtarët e opozitës në Komisionin e Jashtëm kanë kërkuar paraqitjen urgjente të ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, për të dhënë shpjegime për dy incidente të rënda diplomatike.

Deputetët demokratë në kërkesë evidentojnë një komunikim me diplomatë të Republikës së Shqipërisë, ku ministri Hoxha ka udhëzuar që znj. Donika Gervalla (Ministre e Drejtësisë dhe ish-ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës) t’i pamundësohet çdo komunikim dhe vizitë me ministra të tjerë të Republikës së Shqipërisë. Rasti i dytë është ai i fyerjes që Ministri i Jashtëm u bëri shqiptarëve të Maqedonisë së Veriu

Letra

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike

 Nr. ______ Prot.                                                                               Tiranë, më____.____.2026

 Lënda:                       Kërkesë për paraqitjen urgjente të Ministrit të Europës dhe Punëve të Jashtme, z. Ferit Hoxha.

Drejtuar:                   Z. IGLI HASANI

Kryetar i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme

Ne një grup deputetësh, anëtarë të Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, kërkojmë paraqitjen urgjente të Ministrit të Europës dhe Punëve të Jashtme, z. Ferit Hoxha përpara këtij Komisioni, bazuar në detyrimin kushtetues dhe ligjor të Kuvendit për kontrollin e veprimtarisë së pushtetit ekzekutiv.

Bazuar në informacione të publikuara në media Ministri Hoxha ka shkaktuar, në mënyrë të përsëritur, dy incidente diplomatike të rënda që kërkojnë reagimin e menjëhershëm të këtij komisioni.

Në një komunikim me diplomatë të Republikës së Shqipërisë, ministri Hoxha ka udhëzuar që znj. Donika Gërvalla (Ministre e Drejtësisë, dhe ish-Ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës), t’i pamundësohet çdo komunikim dhe vizitë me ministra të tjerë të Republikës së Shqipërisë.

Një qëndrim i tillë përbën një akt të paprecedentë, cenim të drejtpërdrejtë të frymës së bashkëpunimit ndërshqiptar, dhe dëmtim të marrëdhënieve ndërshtetërore Shqipëri-Kosovë, që i shërben vetëm kundërshtarëve të interesave tona kombëtare në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.

Askush nuk e ka mohuar publikisht këtë fakt. Heshtja e ministrit përballë këtyre njoftimeve e bën atë përgjegjës për pasojat diplomatike, aq më keq kur këto qendrime Ministri ia transmeton drejtpërdrejt trupës sonë diplomatike, e cila vendoset nën presion politik për të vepruar në shkelje të betimit të diplomatit.

Rreth tre ditë më parë, në një grup komunikimi me ambasadorët shqiptarë, ministri Hoxha ka përdorur shprehjen “idiotë” si një cilësim fyes për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Një gjuhë e tillë, e përdorur nga kreu i diplomacisë shqiptare për bashkëkombësit tanë në Maqedoninë e Veriut, është thellësisht fyese, në kundërshtim me çdo standard të komunikimit diplomatik, dhe dëshmon paaftësi të theksuar për të përfaqësuar interesat e mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve atje, si dhe dëmton besimin që duhet të ketë trupa diplomatike shqiptare tek drejtuesi i tyre.

Ministri i Punëve të Jashtme, në çdo vend evropian (mjedis që z. Hoxha e njeh shumë mirë prej vitesh) do të ishte tërhequr menjëherë nga detyra pas dy incidenteve të njëpasnjëshme diplomatike të këtij niveli. Jo sepse nuk do të kishte mbështetje politike, por sepse dëmi i shkaktuar marrëdhënieve ndërshtetërore dhe interesit kombëtar do ta bënte të pamundur vijimin e mandatit të tij.

Përkundër pritmërive që ministri Hoxha të sillte një standard tjetër komunikimi dhe një kulturë tjetër profesionale, në vend të ndërtimit të urave, ai ka shkaktuar fraktura diplomatike qoftë me institucionet e Kosovës dhe me vetë ministren Gërvalla, qoftë me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesit e tyre politikë.

Helmimi i marrëdhënieve, veçanërisht në formën e udhëzimeve dhe qëndrimeve të shprehura para trupës diplomatike shqiptare, nuk mund të tolerohet. Është në kundërshtim të hapur me interesin shtetëror dhe kombëtar shqiptar.

Në mbështetje të këtyre fakteve të lartpërmendura, ne kërkojmë nga Komisioni Parlamentar për Europën dhe Politikën e Jashtme: Nuk ka interes më të lartë kombëtar se ruajtja e marrëdhënieve strategjike me Kosovën dhe mbrojtja e të drejtave dhe dinjitetit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ministri Hoxha, me fjalët dhe udhëzimet e tij, ka punuar kundër këtyre interesave. Ai nuk mund të vijojë më në këtë detyrë.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.

Mesazhi për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, opozita