Aktualitet

Aksioni kundër call centerave në Tiranë, Europol jep detaje: 50 milionë euro mashtrim

Një rrjet kriminal që mashtronte online në shkallë të gjerë është shkatërruar nëpërmjet një hetimi bashkëpunues që përfshinte autoritetet austriake dhe ato shqiptare, me mbështetjen e Europol dhe Eurojust. Operacioni, i cili zgjati më shumë se dy vjet, rezultoi në arrestimin e dhjetë individëve, kontrollin e disa lokaleve dhe sekuestrimin e gati 900 000 eurove në para të gatshme.

Rrjeti kriminal, që dyshohet se operonte në disa pika në Tiranë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare, që arrijnë në total 50 milionë euro. Viktimat mashtroheshin nga reklama të rreme në rrjetet sociale ose në internet, ku u premtoheshin fitime të mëdha nga investimet. Pasi regjistroheshin, viktimave u caktohesin persona që shtireshin si këshilltarë financiarë.

Këta persona marrin kontroll mbi llogaritë dhe ndonjëherë edhe mbi pajisjet e viktimave, duke përdorur programe të posaçme. Ata i bindin viktimat të investojnë gjithnjë e më shumë para, duke u paraqitur si ekspertë. Në të vërtetë, paratë nuk investohen fare, por merren nga mashtruesit.

Operatorët u organizuan në ekipe prej gjashtë deri në tetë individësh, secili i specializuar në një gjuhë specifike për të synuar tregjet e tyre përkatëse kombëtare. Gjuhët përfshinin gjermanishten, anglishten, italishten, greqishten dhe spanjishten. Të dyshuarit u mbështetën në këtë element për të mashtruar viktimat e tyre, duke paraqitur mundësi të rreme investimi dhe duke i bindur ata të transferonin shuma të konsiderueshme parash.

Udhëheqësit e ekipeve mbikëqyrnin aktivitetet e përditshme të ekipeve të tyre, ndërsa një menaxher në secilën qendër thirrjesh,  (call center) koordinonte dhe udhëzonte të tjerët. Operatorët merrnin një pagë mujore prej afërsisht 800 eurosh, së bashku me një komision progresiv për çdo kontratë të suksesshme.

Hetimet:

Hetimi u nis fillimisht nga autoritetet austriake për shkak të numrit të madh të viktimave të identifikuara në Vjenë rreth qershorit 2023. Në prill 2024, autoritetet austriake, nëpërmjet Europolit, iu drejtuan autoriteteve shqiptare me një kërkesë për informacion në lidhje me një adresë IP që dyshohet se është përdorur nga autorët, të cilët ndodheshin në territorin e Republikës së Shqipërisë. Pas kësaj kërkese, autoritetet shqiptare nisën një hetim penal.

Me mbështetjen e Eurojust, u nis një hetim i përbashkët, që çoi në një ditë veprimi të koordinuar më 17 prill 2026. Bastisjet e kryera rezultuan në arrestimin e dhjetë individëve në Tiranë, kërkimet e kryera në tre qendra thirrjesh dhe nëntë shtëpi private çuan në sekuestrimin e 891 735 euro në para të gatshme, 443 kompjuterë,
238 telefona celularë, 6 laptopë, si dhe bartës të ndryshëm të të dhënave dhe mediume ruajtjeje.

Viktimat e kësaj skeme mashtrimi ndodheshin në të gjithë Evropën dhe në mbarë botën, duke përfshirë Italinë, Gjermaninë, Greqinë, Spanjën, Kanadanë dhe Mbretërinë e Bashkuar.