Policia apel drejtuesve: Kujdes në rrugë, përdorni zinxhirë në zonat malore
Policia e Shtetit u bën apel drejtuesve të automjeteve të kenë kujdes gjatë lëvizjes në rrugë, veçanërisht në zonat malore ku kërkohet përdorimi i zinxhirëve ose gomave dimërore.
Në një njoftim për mediet, Policia e Shtetit bën të ditur se, për shkak të reshjeve të shiut dhe borës, është vështirësuar qarkullimi në disa akse rrugore, kryesisht në zonat malore të vendit.
“Shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme janë në terren, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe për të ndihmuar përdoruesit e rrugës në rast nevoje. Policia Rrugore po bashkëpunon me entet pronare të rrugëve dhe firmat kontraktore, me qëllim pastrimin e inerteve.
Policia Rrugore apelon drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes gjatë lëvizjes, të moderojnë shpejtësinë dhe të respektojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore, si dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore. Për raste nevoje për ndihmë, telefononi në numrin pa pagesë 112”, përfundon njoftimi i Policisë së Shtetit.
