Rama: Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrje me trupa në Bordin e Paqes për Gazën
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes në Uashington, se Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në forcën e stabilizimit me trupat e saj.
Duke marrë fjalën në mbledhjen inauguruese të kësaj strukture të re ndërkombëtare, e krijuar për të adresuar situatën në Rripin e Gazës, Kryeministri përgëzoi rolin vendimtar të Presidentit Trump për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.
Në të njëjtën kohë, Rama propozoi që ky Bord të ftojë të gjitha vendet të kontribuojnë drejtpërdrejtë me ndërtimin e një objekti publik të dedikuar për fëmijët palestinezë.
“Duke bërë kështu, bota do të ndihmonte fëmijët e Gazës që janë pengjet më të pafajshme të lunatizmit të Hamasit, të rriteshin me praninë fizike të vargut më të madh të duarve që ka shtrënguar bashkë njerëzimi ndonjëherë, jo vetëm duke vendosur paratë, por po kështu duke sjellë dhe arkitektët e tyre në mënyrë që bota të transformojë një plagë të historisë në një oaz shprese, ku dhembshuria merr formë konkrete dhe e ardhmja merr formë rreth atyre që meritojnë më shumë, brezi i ardhshëm i palestinezëve”, u shpreh kryeministri Rama.
Kryeministri deklaroi se “Shqipëria do të ishte e privilegjuar të bëhej pjesë e këtij vargu”.
“Edhe njëherë, ju falënderoj që përfshitë Shqipërinë në këtë nismë fisnike. Duke qenë miq të afërt me Izraelin dhe vendet arabe, shpresojmë fort të jemi një vlerë e shtuar e vizonit tuaj të jashtëzakonshëm”, iu drejtua Rama presidentit Trump.
Mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes u zhvillua sot në ambientet e Institutit Amerikan të Paqes “Donald J. Trump”, në Uashington D.C., nën drejtimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, me pjesëmarrjen e liderëve nga vende të ndryshme të botës.
