Aktualitet

ONE Albania rrit tarifat, si CEO hungarez i skeduar nga SHBA fshehu 132 milionë euro humbje me dy bilance false

Nga 11 milionë euro fitim në 2020, në 155 mijë euro xhiro vjetore për 1.4 milionë abonentë në 2025; dy bilancet kontradiktore të vitit 2022 zbulojnë skemën e mashtrimit fiskal të Gellért Zoltán Jászai, i cili bleu Albtelecomin pa miratim parlamenti dhe vazhdon të operojë në sektorin strategjik të sigurisë kombëtare, ndërsa drejtësia shqiptare nuk vepron…

Në fillim të muajit prill, kompania celulare “ONE Albania” njoftoi abonentët për rritjen e tarifave të shërbimeve me 2.2% mbi tarifën standarde të planit aktual tarifor, duke filluar nga data 1 maj 2026; rritje që sipas kompanisë e detyron inflacioni.

ONE Albania rrit tarifat, si CEO hungarez i skeduar nga SHBA fshehu 132

Por ndërsa ka bërë rritjen e radhës të çmimeve, kompania “ONE Albania”, në 5 vitet e fundit ka raportuar bilance me humbje miliona euro dhe fitime të vogla, duke krijuar dyshimin e arsyeshëm se pronari hungarez Gellért Zoltán Jászai dhe bordi ekonomik kanë kryer mashtrim fiskal.

Në bilancin e vitit 2020, kompania “ONE Albania” raportoi fitim 11 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 deklaroi rreth 2 milionë euro fitim, ose sa 17% të fitimit të deklaruar për vitin 2020, që është mashtrim dhe evazion fiskal i dukshëm, duke fshehur të ardhurat dhe fitimin real.

Në bilancin e vitit 2022, “ONE Albania” deklaroi 31 milionë euro xhiro dhe raportoi 5.5 milionë euro humbje; ndërsa për vitet 2023, 2024 e 2025, ka deklaruar nga 155 mijë-160 mijë euro xhiro dhe nga 12 mijë-13 mijë euro fitim, ose 0.8 lekë fitim në vit nga çdo abonent.

Është e paimagjinueshme që me 1 milion e 425 mijë abonentë, të ketë xhiro dhe fitim vjetor sa një kioskë lagjeje, kur kjo kompani ka tarifa shumë të larta, të rritura 3 herë në 5 vitet e fundit.

Skema e mashtrim-evazionit fiskal 132 milionë euro me dy bilance të ndryshuara

Përveçse në Albtelekom, evazioni fiskal nëpërmjet mashtrimit me falsifikim të bilancit tatimor është skema e vjedhjes së miliona eurove, që mafiozi hungarez Gellért Zoltán Jászai po zbaton edhe si pronar i kompanisë celulare “ONE Albania”.

Më 31 mars 2022, hungarezi i klanit të Viktor Orbán, bleu 94% të aksioneve të “ONE Albania”, ndërsa më 22 dhjetor 2022, kompaninë “Albtelecom” e shkriu brenda “ONE Albania” me miratimin e qeverisë shqiptare, pa e kaluar këtë ndryshim pronësie të huaj në parlament, paçka se është sektor strategjik i sigurisë kombëtare të Shqipërisë.

ONE Albania rrit tarifat, si CEO hungarez i skeduar nga SHBA fshehu 132

Bilanci i parë i vitit 2022 u dorëzua me 11 milionë euro humbje, i ndarë në 5.3 milionë euro humbje të “ONE Albania” dhe 5.7 milionë euro humbje të “Albtelekom”; shifra false që tatimet ia pranuan, sepse hungarezi është mik pazaresh i Edi Ramës.

Në variantin e dytë fals, të dorëzuar më 26 qershor 2023 në QKB e Tatime, që zëvendësoi bilancin e parë real, pronari hungarez i “ONE Albania” deklaroi 125 milionë euro humbje, përkatësisht 4.6 milionë euro për “ONE Albania” dhe 124 milionë euro për “Albtelekom”.

Madje, në vendimin për miratimin e bilancit të dytë fals, thuhet: “Për shkak të humbjes së madhe financiare, kompania ‘ONE Albania’ nuk do të shpërndajë divident (fitim) për ortakët”, që do të thotë se përveç taksës së tatim-fitimit, shteti nuk merr as fitim si ortak me 3.1% të aksioneve.

CEO i “ONE Albania”, i skeduar nga SHBA për pastrim parash edhe në Shqipëri

CEO hungarez i “ONE Albania Gellért Zoltán Jászai është i skeduar nga SHBA për pastrim parash në Hungari, Bullgari, Rumani, Serbi, Bosnjë, Turqi, Mal të Zi e Maqedoni, por edhe në Shqipëri.

Është skeduar për transferim aksionesh e kapitalesh, evazion fiskal e pastrim parash me firmat “4iG”, “KZF Vagyonkezelo Kft”, “Konzum Befektetési és Vagyonkezelo NyRt”, “Hunguest Hotels Szállodaipari Zrt.”, “Appeninn Vagyonkezelo Holding Nyrt” dhe “SCD Group Kft”.

Por shteti shqiptar e ka lejuar të futet me blerjen e kompanisë së shërbimit celular, telefonisë fikse, rrjetit 5G, internetit dhe shërbimeve të tjera elektronike dixhitale, që lidhen me të dhënat e shtetasve dhe sigurinë kombëtare në Shqipëri, ndërsa drejtësia nuk vepron./Pamfleti