Politikë

“Të njëjtët emra s’rrëzojnë Ramën”, Shehi: Salianji po bën betejë politike

Dashamir Shehi ka analizuar përplasjet në PS dhe krizën në PD, duke theksuar mungesën e besimit të qytetarëve dhe nevojën për figura të reja.

Në një intervistë për “News 24” Dashamir Shehi, tha se një nga problemet kryesore të politikës në vend është mungesa e alternativave të reja, duke shtuar se qytetarët kanë humbur besimin te figurat aktuale.

“Kujt do ja besojmë idenë e ndryshimit, po të njëjtat personazhe, apo njëjtëve njerëz. Janë po të njëjtët, qytetarët nuk kanë më besim”, u shpreh Shehi.

Lidhur me përplasjet brenda Partisë Demokratike, veçanërisht raportin mes Sali Berishës dhe Ervin Salianjit, Shehi e vlerësoi këtë të fundit si një zë pozitiv brenda opozitës. Sipas tij, çdo figurë politike që guxon të kundërshtojë drejtuesin kontribuon në forcimin e demokracisë.

“Salianji ka rol pozitiv, po bën një betejë për demokracinë. Sepse të gjithë ata që kanë kurajë t’i kthejnë fjalën shefit për mua janë njerëz që kontribuojnë në politikë”, deklaroi ai.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur këtë me perceptimin për korrupsion të lartë në vend.

Sipas Shehit, edhe protestat e opozitës kanë humbur efektivitetin për shkak të përsëritjes dhe mungesës së rezultateve konkrete.

“Protestat i kthyen në rutinë, edhe nëse do ketë protestë të radhës do jenë më pak. U lodhën nuk kanë faj”, theksoi ai.

Si përfundim, ai theksoi nevojën për përfshirjen e brezave të rinj në politikë, duke sugjeruar se ndryshimi nuk mund të vijë nga figurat aktuale.

“Këtu duhet t’u jepet shans të rinjve dhe më pas koha do të bëjë të vetën. Këto kanë qenë, po të ishin të zot do ta kishin rrëzuar Ramën se u bënë 16 vjet”, tha ndër të tjera.