Aktualitet

Mjegull e dendur dhe aksidente në jug të vendit, vështirësohet qarkullimi në Kardhiq–Delvinë

Moti i keq ka përfshirë Shqipërinë gjatë ditës së sotme, duke shkaktuar vështirësi në disa akse rrugore dhe në qarkullimin e automjeteve.

Problematika kryesore është shënuar në jug të vendit, në aksin rrugor Kardhiq–Delvinë, që nga dalja e tunelit, ku e gjithë zona është mbuluar nga mjegull e dendur që ka nisur pasditen e sotme.

Si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike, qarkullimi i automjeteve është vështirësuar ndjeshëm. Sipas burimeve policore, deri tani janë regjistruar 5 aksidente, të cilat kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Në terren ndodhet Policia Rrugore e Shqipërisë, me patrullime të shtuara në këtë aks, duke u bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal, të ulin shpejtësinë dhe të përdorin dritat gjatë lëvizjes në kushte mjegulle të dendur.