Politikë

Si mashtroi Celibashi për Kreshnik Hajdarin e Kuçovës, duke i hapur rrugë kandidimit me ‘cene’ penale

SPAK i konfirmon Celibashit të KQZ dënimin e Kryebashkiakut të  Kuçovës për falsifikim formularësh dhe ndaj tij është nxjerrë urdhri i ekzekutimit të vendimit, a do shkarkohet Kreshnik Hajdari?

INFO

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi mbajti në garë kandidatin socialist, Kreshnik Hajdari, ndonëse ky i fundit rezultonte i dënuar në Greqi dhe këtë gjë nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Ligji është i qartë, kushdo që ka fshehur të dhënat duhet të largohet nga detyra ose t’i ndalohet kandidimi. Ata që nuk e bëri Celibashi e bëri Prokuroria e Posaçme. Kjo e fundit ka nisi hetimet në 2023 për falsifikim formulari nga Kreshnik Hajdari dhe  kërkoi nga KQZ që t’i vihet në dispozicion formulari i dekriminalizimit.Celibashi veproi me dy standarde. Kur e kishte në dorë vendimin dhe duhej të vinte në dijeni Prokurorinë e Përgjithshme nuk e bëri. Kur SPAK nisi hetimet, deklaroi se ju ka vënë në dispozicion dosjen. Zgjedhjet në Kuçovë duhet të përsëriten për shkak të pavlefshmërisë së kandidaturës së fituesit.Me mbërritjen e këtij njoftimi zyrtar nga SPAK, topi kalon në fushën e KQZ-së.

SPAK i konfirmon KQZ-së, përmes një shkrese zyrtare, dënimin e Kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari. Shkresa me firmën e Klodian Brahos, kreut të SPAK-ut, i drejtohet Komisionerit Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, ku i bën të ditur se vendimi ndaj Kryebashkiakut Hajdari ka marrë formë të prerë, madje është nxjerrë edhe urdhri për ekzekutimin e dënimit.Shkresa e Brahos ndaj Celibashit është një kthim përgjigje që SPAK i ka bërë Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, lidhur me të kaluarën penale të Hajdarit.Në dokumentin zyrtar, Prokuroria e Posaçme sqaron se procedimi penal ndaj Kreshnik Hajdarit është regjistruar me numrin 80, më datë 3 maj 2023, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal. Sipas SPAK, pas përfundimit të hetimeve paraprake, çështja është dërguar për gjykim më 18 dhjetor 2023. Më pas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.06 të datës 25 janar 2024, e ka deklaruar fajtor Hajdarin për kryerjen e veprës penale.Në vendimin e saj, gjykata ka caktuar fillimisht një dënim me 9 muaj burgim. Por, në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, që parashikon ulje të dënimit në rast të procedurës së gjykimit të shkurtuar, të pandehurit i është ulur një e treta e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 6 muaj burg.Në një tjetër dokument të firmosur nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, konfirmohet se më datë 1 shkurt 2024 SPAK ka nxjerrë urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal nr.06 të Gjykatës së Posaçme.Po sipas dokumentit, vendimi i gjykatës ka marrë formë të prerë më 5 korrik 2024, çka nënkupton përfundimin e procesit gjyqësor dhe hyrjen në fuqi të dënimit.Në to nuk jepen detaje të tjera mbi rrethanat konkrete të çështjes apo aktivitetin që çoi në procedimin penal ndaj Hajdarit,.Korrespondenca mes SPAK dhe KQZ-së vjen në kuadër të verifikimeve institucionale që kryhen për subjekte të ndryshme, bazuar në legjislacionin për dekriminalizimin dhe kontrollin e figurës së personave që ushtrojnë ose synojnë funksione publike.